Me kënd po bashkërendon Kosova?

Prishtinë | 08 Shk 2024 | 11:54 | Nga Besa Ismaili

Sot në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të mbahet debati për Kosovën.

Seancën e ka kërkuar Serbia dhe është mbështetur kërkesa e saj nga Rusia. Sipas nenit 35 të Kartës së OKB-së, anëtarëve të OKB-së u mundësohet që të sjellin në vëmendjen e Këshillit të Sigurimit çështje të cilat konsiderohen përplasje apo tensione ndërkombëtare.

Diplomacia e Serbisë dhe Rusisë kundër Kosovës është në ditët e saj më të mira ofanzive, me rrugën e shtruar nga qeveria e Kosovës, e cila ndërmerrë masa dhe veprime pa bashkërendim me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës, e të cilat thellojnë ndasitë si brenda Kosovës ashtu edhe të Kosovës me miqtë e saj.

Situata bëhet edhe më shqetësuese kur krahas veprimeve dhe mosveprimeve të qeverisë Kurti, ka një retorikë jomiqësore dhe jodiplomatike ndaj Bashkimit Evropian në përgjithësi dhe OKB-së dhe misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë veçanti, edhe nga kryediplomatja kosovare, znj. Gërvalla Shvarc. Për këtë të fundit, askush në Kosovë nuk pret që ajo të jetë në krye të detyrave të saj ligjore për të mbrojtur interesat e Kosovës sot në KS e OKB-së. Shpresat e qytetarëve të Republikës së Kosovës janë gjithmonë tek aleatët perëndimorë.

Gjuhë qortuese dhe vërejtjet e qarta që kanë ardhur në adresë të qeverisë dhe kryeministrit Kurti nga shtetet e QUINT-it dhe SHBA-ve, dy herë brenda një jave, më 28 janar dhe më 3 shkurt 2024, lidhur më krizën më të re ‘Dinari’, me të drejtë kanë shqetësuar shoqërinë, dhe do të duhej që të vendosnin edhe qeverinë Kurti në panik dhe shqetësim serioz! Kjo ngaqë mbështetja e dobësuar ndërkombtare që Kosova gëzon sot, është pasojë direkte e paparashikueshmërisë dhe pabesisë së veprimeve të kryeministrit Kurti dhe vartësve të tij.

Krizat që i orkestron kjo qeveri, në momente të pavolitshme ndërkombtare edhe për shtetet më të fuqishme sot në botë, shton dyshime serioze për qëllimet dhe planet e këtij pushteti karshi fatit të shtetit të Kosovës.

Dinamikat e pushtetit në OKB me pesë anëtarët e saj permanentë me të drejtë veto (ndër to Kina dhe Rusia) dhe dhjetë anëtarët tjerë, bën që një shtet i vogël si Kosova, të mos ketë asfarë ndikimi për të çuar përpara interesat e saj, pa miqtë e saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe dhe Francën, me të cilët marrëdhëniet e Kosovës kanë arritur në pikën më të ultë deri sot.

Të ngjashme