Duke i lexuar reagimet dhe fyerjet e zyrtarëve të LVV-së kundër deputetit Eman Rrahmani, m’u bë plotësisht e qartë thënia trockiste se “revolucioni i hanë fëmijët e vet”.
Po ashtu m’u kujtua thënia që ilustron armiqësinë brenda familjes së çoroditur se “nuk e di çka asht shk… pa ta ba nana.”
Natyrisht, Emani dhe të tjerët si ai, e kanë fajin vetë që kanë hyrë në atë familje politike, ku janë përdorë, por gjithmonë janë trajtuar si të huaj. Ai/ata mund të thonë çka të duan, por qysh do të thoshte hoxha Shefqet, “e ke ditë, e ke ditë”.
E kanë ditë që janë në një familje politike me ideologji thellësisht antiislame dhe me një lider për të cilin njëri nga ish miqtë e tij të afërt, ka thënë se është ateist.
Në fakt, LVV është e formuar në parimin e lëvizjes xhonturke, si “bashkim i elementeve,” pra si bashkim i grupeve të ndryshme, bile të armiqësuara. Edhe synimi i xhonturqve ka qenë që ato grupe (elemente) thjesht të përdoren për idenë ekskluzivisht xhonturke.
Në rastin e largimit nga LVV të Emanit, Visarit dhe të pasuesve të tyre, vlen thënia, “më mirë vonë se kurrë”.
Por, e kanë borxh një sqarim a kërkimfalje që për këto katër vite kanë bërë altoparlantin e një lëvizjeje në esencë armiqësore ndaj bindjeve të tyre.
Sot njëri nga ideologët e LVV, lëvizjen e re të Emanit dhe të aleatëve të tij e ka etiketuar me fjalë të rënda: “Tani në emër të “mbrojtjes së familjes”, rrahmanzimi e përmbysë familjen tradicionale shqiptare dhe iu ofron shqiptarëve një model të ri, sheriatike-kuranore: familjen që tradita jonë e quan inçestuale.
P.S. Nëse Eman Rrahmani dhe aleatët e tij nuk reagojnë ndaj kësaj histerie, nëse nuk e denoncojnë të keqen që njohin brenda LVV, nëse nuk i shpallin luftë kësaj armiqësie të LVV ndaj tyre, atëherë më së miri e kanë ta mbyllin dugajën. Nuk mund të jenë të besueshëm, nëse tregohen frikacakë.