Diskursi i partive politike në fushatën elektorale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, po përcillet me më pak përplasje verbale, krahasuar me fushatat zgjedhore paraprake, thotë njohësi i zhvillimeve politike, Arton Demhasaj, raporton Ekonomia Online.
“Ka pas ofendime individuale apo të njerëzve të caktuara brenda partive politike, por mendoj se ka qenë brenda konturave normale dhe nuk mund të themi se ka ndodhë diçka e madhe”, thotë Demhasaj.
Drejtori i organizatës “Çohu”, Demhasaj thotë se ka parë një rritje të partive politike në aspektin e bërjes së fushatës zgjedhore, pasi sipas tij këtë vit ata po merren më shumë me programin e tyre.
“Mendoj që me krahasua me zgjedhjet tjera është më mirë, për shkak se kemi parë që partitë politike janë duke u marr me vetën e vet tyre. Për shembull nëse ë shohim AAK-në ende nuk ka bërë ndonjë kritikë ndaj partive tjera që në të kaluarën e ka bërë, pra p’e bëjnë një fushatë më të moderuar duke mos i atakuar partitë tjera, duke u marr me plan programin e saj dhe me synimin e tyre që ta vënë liderin e tyre president. Në anën tjetër PDK-ja po merret me Vetëvendosjen për shkak se e sheh si rival potencial, që në realitet nuk është diçka e tillë, apo e shohim LDK-në që merret pak me PDK-në dhe Vetëvendosjen, dhe në anën tjetër e shohim Vetëvendosjen që nuk po merret aspak me këto parti politike, pasi vetën po e sheh si lider. Në esencë mund të themi si fushatë ka tepër më pak ofendime sesa që ka pasur në zgjedhjet e kaluara”, tha ai për Ekonomia Online.
Disa nga subjektet politike, të cilat garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, janë gjobitur pasi në tubimet e organizuara me qytetarë në ambiente të mbyllura dhe të hapura, ato e kanë shkel Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19.
Demhasaj thotë se kjo praktik e partive politike po u përçon mesazh negativ qytetarëve.
Tutje, ai thotë se partive politike nuk po u intereson shëndeti i qytetarëve por vetëm vota. Mes tjerash, ai tha se tubimet në shtëpi duhet të ndalohen së organizuari.
“Unë mendoj që kjo është çështja më negative që po e përcjell këtë fushatë, pra ne jemi duke mbajt dhe organizua zgjedhje në një kohë pandemie që po konsiderohet tepër e rrezikshme, edhe kur shohim se janë në fuqi masa që janë vendos nga Qeveria e që dënohen qytetarët për ditë me numër goxha të madh, në anën tjetër shohim tubimet partiake duke mos respektua masat, duke mos mbajt maskë, duke mos mbajt distancë dhe duke grumbullua tepër shumë njerëz. Mendoj që ky është një mesazh shumë i keq që shkon tek qytetarët, andaj mendoj që partitë politike duhet të jenë më të kujdesshëm dhe t’i respektojnë vet masat sepse dikush është në Qeveri, dikush mund të vije shumë shpejt në qeveri dhe padyshim se kanë m’u marrë me menaxhimin e pandemisë dhe këto pasoja që po mbahen tubimet, sepse mund të pritet qoftë pas një jave ose dy jave mund të ketë një rritje të infektuarve, pikërisht për shkak të tubimeve që po mbahen duke mos respektua masat”, u shpreh Demhasaj.
“Tubimet në shtëpi janë akoma më të rrezikshme pasi dikush mund të jetë i infektuar dhe ta bartë atë brenda një shtëpie dhe ai mund të mbetët aty dhe ta përfshijë gjithë familjet, kështu që nëpër shtëpi për një mend nuk duhet të këtë organizime të takimeve mund të ketë takime nëpër vende publike apo në salla të ndryshme por gjithmonë duke i respektua masat që i ka përcaktua Qeveria që është mbajtja e maskës, e distancës, por kjo p’e shohim që nuk po ndodhë. Partitë politike veç janë hedh mbrapa votave dhe më tepër po u intereson vota sesa aspekti shëndetësorë i qytetarëve. Mendoj se kjo është rrezik shumë i madh, nuk duhet asnjë parti politike që për pak vota me rreziku shëndetin e njerëzve”, tha tutje ai.
Sa i përket situatës politike pas zgjedhjeve, Demhasaj thotë se është e qartë se kush do të jetë fituesi, por vetëm mbetët të shihet nëse partia fituese do të dakordohet me partinë tjetër për koalicion.
“Kësaj here ka me qenë situata më e qartë, për shkak se tash për herë të parë po hyjmë me një garë zgjedhore që pak a shumë po dihet kush është fituesi i zgjedhjeve, me gjasë menjëherë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, Vetëvendosja ka me qenë fituese dhe do të mbetet ta zgjedh me këtë do ta bëjë koalicionin, duke marr parasysh se ishte partner me LDK-në dhe nuk funksionoj mendoj që LDK-ja përjashtohet nga mundësia e një koalicionit të mundshëm me VV-në, po ashtu me PDK-në për shkak të kundërshtive politike që ekzistojnë goxha gjatë në kohë, edhe për shkak se do të ishte një koalicion goxha i panatyrshëm në aspektin e praktikave parlamentare për shkak se partia e dytë me të parën, dhe si rrjedhojë partia e dytë e pëson, ashtu qysh e pësoj LDK-ja në koalicionin e kaluar. Gjasat janë që do te kemi një koalicion në mes të VV-së dhe AAK-së, po krejt këtu mbetet te çështja e presidentit, pra a do të ketë VV-ja së bashku me AAK-në dhe minoritetet një shumicë te mjaftueshme për ta krijua kuorumin për ta zgjedh presidentin sepse menjëherë do të ballafaqohen me këtë çështje. Dhe çështja kruciale se a do të lëshoj pe VV-ja për t’i jap të drejtën e kandidimit AAK-së për president, në mënyrë që të arrihet marrëveshja dhe të krijojnë institucionet. Pra matematikisht është goxha e qartë pra, krejt mbetet se sa do të arrijnë të dakordohen”, përfundoi ai.