Shpejt është bërë protagonist te Lokomotiva e Zagrebit dhe në kampionatin kroat futbollisti i ri Lirim Kastrati.
Edhe më shpejt ka bërë rrugën në ekipet përfaqësuese të Kosovës. Kastrati 19-vjeçar ka thënë gjatë javës se është ftuar nga përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes për ndeshjet e tetorit. Deri më tash ka luajtur për përfaqësuesen U-21 të Kosovës e më parë edhe tek ajo U-19. Janë shpejtësia, depërtimi në krah ato që e karakterizojnë lojën e tij, shkruan Koha Ditore.
Shpejt ka kaluar nivele në karrierën e tij e po ashtu shpejt demantoi një deklaratë që në mediat kroate u raportua se e kishte thënë Kastrati. Demantin natyrisht e bëri në mediat e Kosovës.
Gazeta e njohur kroate “Sportske Novosti” fundjavën e kaluar kishte publikuar një shkrim për Kastratin, ndërsa për tifozët e futbollit në Kosovë interesim shfaqi një deklaratë e lojtarit nga Hogoshti për karrierën në përfaqësuese.
Ai kishte thënë, sipas “Sportske Novosti”, se e kanë thirrur nga Federata e Kosovës dhe e Shqipërisë për mundësinë që të luante për përfaqësuesen A.