Me t’iu kthyer punës Kuvendi, opozita paralajmëron mocion mosbesimi kurse pushteti dinamikë të re të punës

Prishtinë | 25 Gus 2018 | 18:28 | Nga

Nga muaji shtator, Kuvendi i Kosovës pritet të rifillojë punën pas pushimeve dhe pas një sesioni paraprak të vlerësuar si jo shumë produktiv, për shkak të problemeve me vendimmarrje.

Opozita ka paralajmëruar inicimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, edhe pse nuk e ka saktësuar nëse ka siguruar shumicën e votave të nevojshme, kurse nga pushteti po paralajmërohet dinamikë e re në punën e legjislativit, sidomos në miratimin e ligjeve me prioritet për vendin.

Ndërkohë, monitoruesit e punës së Kuvendit të Kosovës thonë se me fillimin e sezonit vjeshtor në këtë institucion duhet të ketë një organizim më të mirë të punës sesa në sesionin paraprak.

Miratimi i ligjeve me prioritet, por edhe çështja e një uniteti për dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë, do të duhej të ishin temat e para për të cilat deputet do të duhej të diskutonin, thotë Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Krasniqi thotë për Radion Evropa e Lirë se Kuvendit i kanë mbetur në procedurë shumë ligje, për të cilat kërkohet një përgjigje nga deputetët se duhet të miratohen apo jo.

“Nga ligjet, që janë më të rëndësishme, janë ato të cilat e prekin sektorin e drejtësisë, siç është Ligji për gjykatat, për Këshillin Prokurorial të Kosovës, për Këshillin Gjyqësor, Kodin Penal, Mbrojtjen e sinjalizuesve. Pra, çështje të cilat po e prekin çdo ditë jetën e qytetarëve. Dhe, po shohim së fundi edhe me rastin e ndërhyrjeve që po bëhen nga politika në institucionin e gjyqësorit”, thotë Krasniqi.

Përveç ligjeve, që janë në pritje për shqyrtim e miratim, thekson ai, janë edhe disa marrëveshje ndërkombëtare, të cilat priten të ratifikohen siç është ajo e IPA-s [fondeve të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA)] dhe Erasmus plus. Sipas Krasniqit, edhe në sezonin e ri të Kuvendi pritet që çështja e bisedimeve politike Kosovë -Serbi të jetë top-tema e fillimit të punës së Kuvendit.

“Besoj se dialogu do të jetë top-tema me të cilën Kuvendi do të vazhdojë të merret dhe këtu shpresoj që Kuvendi do të marrë më shumë përgjegjësi dhe nuk do të lejojë që presidenti do të jetë ai i cili do ta marrë i vetëm përsipër gjithë ketë proces pa një mbikëqyrje parlamentare dhe duke e anashkaluar rolin e Kuvendit, të kryeministrit, pra duke marrë kompetenca të cilat janë jashtë kompetencave të tij të përcaktuara me Kushtetutë”, thekson Krasniqi.

Sipas tij, Kuvendi i Kosovës në sezonin e kaluar nuk ka punuar në bazë të agjendës së vet, por më shumë atij i kanë paraprirë debate për çështje të caktuara që janë zhvilluar në media, gjë që, sipas Krasniqit, nuk do të duhej të ndodhte tash.

Kurse, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, thotë për Radion Evropa e Lirë se, puna në Kuvend dhe cilësia duhet të rritet dhe siç shprehet ai, duhet të ketë një fokus më të madh në miratimin e ligjeve dhe monitorimin e zbatimit të tyre.

Ai, po ashtu thotë se si pozita edhe opozita duhet t’i kthehen seriozisht punës në Kuvend në miratimin e ligjeve cilësore.

Kurse, sa i takon debateve që mund të vijnë në Kuvend për zhvillimet aktuale, Pajaziti thotë se ato nuk mund të ndalen asnjëherë.

“Mënyra e punë së Kuvendit tonë lë hapësirë që deputetët të merren edhe me tema jashtë rendit të ditë. Këto debate nuk do të ndalen kurrë. Mendoj se nuk ka diçka të keqe nga këto debate. Shpesh debatet e tilla bëhen për shkak të agjendave politike të momentit. Çështja kryesore është që të thellohemi më shumë në ligje dhe vendime që duhet t’i marrë Kuvendi në përputhje me mandatin e tij”, shprehet Pajaziti.

Kurse, Partia Socialdemokrate edhe gjatë ditëve të pushimit të Kuvendit kërkoi nga partitë e tjera opozitare që të mbështesin iniciativën e saj për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, për të diskutuar rreth procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, thotë për Radion Evropa e Lirë se për të diskutuar për çështje të rëndësishme nuk duhet të pritet deri në muajin shtator, por ato duhet të diskutohen që sot.

“Ky vend lëngon edhe sa i takon zhvillimit ekonomik, e që besa na presin edhe diskutime goxha të vështira, pra zhvillimi ekonomik, sistemi i drejtësisë dhe një shtet i mirëqenies për të gjithë, një ndërtim i një sistemi social, i cili u ofron të gjithë qytetarëve barazi në trajtim shëndetësor, në kujdes social, e skema të ndryshme”, thotë Sejdiu.

Në anën tjetër, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, deputetët e saj kanë paralajmëruar edhe inicimin e një mocioni mosbesimi nga Qeverisë aktuale të Kosovës.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme