Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi, ka vendosur që rasti i Agonis Tetajt t’i merret prokurorit aktual dhe t’i ricaktohet një prokurori tjetër.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se ky vendim është marrë për t’iu shmangur paragjykimeve për rastin.
Njoftimi i plotë:
Si Kryeprokuror i Shtetit jam i shqetësuar dhe njëkohësisht i gatshëm që drejtësia të shkojë në vend. Prandaj, për të parandaluar njëanshmërinë dhe për t’iu shmangur paragjykimeve për rastin e vrasjes së Agonis Tetajt, sot kam marrë vendim që brenda kompetencave të mia ligjore të marrë lëndën nga prokurori i çështjes dhe ta ricaktoj atë te një prokuror tjetër.
Gjithashtu, do të kërkojmë nga trupi gjykues që të mos e shpallë shqyrtimin gjyqësor të përfunduar, por të marrë prova të tjera të nevojshme, të cilat do ta zbardhin tërësisht të vërtetën në këtë çështje penale-juridike, konform nenit 357, paragrafi 1 të KPPRK-së.
Po ashtu, pas vlerësimit të lëndës, të gjithë ata që kanë bërë sjellje eventuale joprofesionale dhe në kundërshtim me ligjin do të përgjigjen për veprimet e tyre.
Prandaj është e rëndësishme për të gjithë dhe për publikun e gjerë të kuptohet se Prokurori i Shtetit nuk bënë përjashtim për askënd, pa marrë parasysh se ku punon ose më kë bashkëpunon.
Gjatë punës tonë do të bazohemi në ligj dhe do t’i shërbejmë vetëm drejtësisë, duke trajtuar saktësisht dhe tërësisht të gjitha faktet, të cilat janë të rëndësishme për marrjen e vendimit të ligjshëm.
Në anën tjetër, kërkojmë nga të gjithë që të përdorin gjuhë konstruktive, duke mos ndërhyrë në dhënien e drejtësisë.
Si Kryeprokuror i Shtetit, siguroj familjen dhe të gjithë qytetarët se do të angazhohem për drejtësi maksimale për këtë rast.