Me Zajednicë ia humbën Kosovës 10 vjet

Prishtinë | 27 Tet 2023 | 20:46 | Nga Avdullah Hoti

Me protesta të dhunshme kundër ‘Zajednicës’ ia humbën Kosovës 10 vite pa viza e pa progres në integrim euro-atlantik.

Kërkuan vota në zgjedhjet e fundit, dhe i morën ato, për të mos bërë kurrfarë zajednice, ‘as asi, as ksi’.

Sapo e morën pushtetin, në foltore të Kuvendit u betuan ‘zajednica’ nuk bëhet, sepse Kosova ka kryeministër tjetër.

Mandej u zbutën pak, i vendosën disa kushte për ‘zajednicë’, të cilat i harruan plotësisht.

Nuk e bën ‘zajednicën’ kur aleatët u kërkonin ta bënin sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015, ku kjo e fundit e thotë qartë se asociacioni bëhet kur Gjykata Kushtetuese thotë se “statuti i asociacionit është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

Tani, për të mbetur në pushtet, pranojnë propozimin për ‘zajednicën’ që u vihet në tavolinë me stilin merre ose lëre.

Tani i kthehen marrëveshjes së vitit 2015, ku kërkohet opinioni i Gjykatës Kushtetuese.

Këto nuk janë veprime shtetërore. Këto janë veprime të politikanëve demagogë e mashtrues, që bëjnë gjithçka për të mbijetuar politikisht e për të mbajtur pushtetin.

Gjithë kjo shtyrje do të kuptohej nëse do të kishim një marrëveshje tjetër për ‘zajednicën’, e cila do të ishte më e favorshme për Kosovën. Por jo, këta e kanë pranuar Marrëveshja e Ohrit, e cila përfshinë edhe ‘zajednicën’ edhe autonominë.

Gjithë kjo shtyrje do të kuptohej nëse Marrëveshja e Ohrit do të përfshinte njohjen reciproke. Por jo, këta e pranuan Marrëveshjen e Ohrit, e cila thekson qartë: “… pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të Palëve për çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit”.

Të ngjashme