Pas muajsh shterpësie në shumicën e sporteve individuale, në fundjavë në tri sporte të ndryshme janë arritur rezultate, që sipas përgjegjësve japin shpresë për të ardhmen.
Në karate janë fituar dy medalje në kampionatin evropian për të rinj, në atletikë një medalje në kampionatin ballkanik për të rinj, ndërsa në boks një medalje në një turne, që sipas Federatës është prestigjioz, shkruan Koha Ditore.
Gjithsesi sukseset e arritura kanë mbetur në hije të medaljes së argjendtë të Distria Krasniqit në turneun Grand Slam të xhudos, që u mbajt në Paris të shtunën e të dielën.
Në të njëjtën garë Akil Gjakova u rendit i pesti. Distria humbi finalen e kategorisë deri 48 kilogramë, ndërsa luftoi para plot 15 mijë shikuesve. Garat ku kosovarët e rinj fituan medaljet nuk e kanë as për së afërmi shkëlqimin që ka Grand Slami i Parisit në xhudo, që vlerësohet gara më prestigjioze e xhudos. Numri i madh i shikuesve e bën të veçantë garën e Parisit.