“Medea” si artiste e ekzilit shfaqet në Prishtinë

Prishtinë | 29 Qer 2018 | 16:08 | Nga

Teatri “Dodona” ka shfaqur në skenën e tij shfaqjen “Medea arti i ekzilit”, mbrëmbjen e së enjtes të 28 qershorit.

“Mede” është një dramë narrative dhe poetike e autorit Idlir Azizaj. Ajo është frymëzuar nga tragjedia «Medea» e Senekës. Tragjedia e Medeas është ajo e një gruaje të fortë dhe të ashpër. Në këtë tekst teatror ashpërsia e saj trajtohet brenda një situate që është fort e prekshme për subjektin shqipfolës në veçanti.

U bë kohë që subjektet tona përballen me ekzilin, emigrimin. Por, kryesisht vështirësia qëndron te ashpërsia e ekzilit brenda vetes, brenda arritjes së pavarësisë reale e permanente të vetes. Ky ‘art-‘ (bërje), i arritjes së një ekzili tjetër është thelbi i këtij teksti teatror.

Shfaqja është ndërtuar mbi histori të shpronësuarish, histori e njerëzve që iu mungon diçka e thellë, duke u përpjekur të paraqesë një procedim të ashpër, por të denjë të jetës dhe mbijetesës. Nisur nga motive të teatrit noh, commedia dell’arte dhe atij të figurave e objekteve, shfaqja fillon të përvijohet në shqyrtimin e figurës së Tjetrit në mënyrë ‘permanente’, pastaj asaj të aktorit.

Figura e aktorit është shumë e rëndësishme në këtë pjesë, sepse ai është shembulli më i fortë i vet-ekzilantit: në role e në personazhe që detyrohet të luajë.

Kjo shfaqje do të reprizohet prej javës së parë të shtatorit, bën me dije regjisori i kësaj shfaqjeje Alban Beqiraj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme