Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka reaguar lidhur me ngecjen e Draftligjit për Prokurimin Publik, duke ia atribuar përgjegjësinë Ministrisë së Financave, të udhëhequr nga Hekuran Murati, dhe jo opozitës.
Përmes një postimi, Ymeri u ka bërë thirrje deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që t’i përditësojnë fjalimet e tyre dhe të mos ia atribuojnë opozitës përgjegjësinë për vonesat në miratimin e këtij projektligji.
Ajo ka ngritur gjithashtu shqetësimin për importin e energjisë elektrike, duke theksuar se për çdo orë po shpenzohen mbi 100 mijë euro për import të rrymës.
“Draftligji i Prokurimit Publik ose Draftligji për Tenderë ka ngecur në Ministrinë e Hekuran Muratit e jo te opozita”, ka shkruar Ymeri.
Në fund, deputetja e LDK-së ka përsëritur se përgjegjësia për stagnimin e Ligjit të Tenderëve, sipas saj, është te Ministria e Financave dhe ka kërkuar që kjo të reflektohet edhe në deklarimet publike të përfaqësuesve të pushtetit.