Gjini kritikon Qeverinë: Qytetarët duhet t’i krahasojnë të arriturat me gjendjen e tyre të përditshme

Prishtinë | 25 Nën 2026 | 19:02 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas publikimit të raportit të të arriturave të Qeverisë, duke ftuar qytetarët që ta lexojnë atë dhe ta krahasojnë me përvojën e tyre të përditshme gjatë këtyre viteve.

Gjini ka ngritur një sërë pyetjesh që lidhen me mirëqenien ekonomike, koston e jetesës, shëndetësinë, arsimin, infrastrukturën, energjinë, punësimin dhe emigrimin e të rinjve.

Ai ka pyetur nëse qytetarët sot blejnë më shumë me të ardhurat e tyre, nëse e përballojnë më lehtë koston e jetesës, nëse u mbeten më shumë para në fund të muajit dhe nëse kanë shërbime më cilësore publike.

Gjithashtu, Gjini ka ngritur çështjen e realizimit të investimeve të premtuara, përfundimit të projekteve publike me kohë dhe forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Në përmbyllje të reagimit, kryetari i Aleancës ka theksuar se rezultatet e një qeverie duhet të vlerësohen përmes krahasimit të premtimeve me realizimin, investimeve me rezultatet dhe statistikave me cilësinë e jetës së qytetarëve.

Të ngjashme