SHBA-ja do ta bëjë Serbinë Palestinë nëse Beogradi nuk e pranon planin e Perëndimit për Kosovën. Vrasja e 60 palestinezëve nga Gaza ishte ushtrim demonstrues për të gjithë ata që i kundërvihen interesave të SHBA-së.
Kështu nis shkrimi më i fundit propagandistik i mediumit Sputnik, një ndër shumë media në Serbi që financohet nga Rusia.
Aty citohet Liljana Smajlovic, ish-kryeredaktore e gazetës serbe Politika, e cila në Serbi vlerësohet si njohëse e mirë e politikës së jashtme amerikane.
Ajo thotë se Washingtoni nuk do t’i vërë formalisht sanksione Serbisë dhe se nuk do të ketë ndonjë sulm të ri ushtarak mbi vendin, por rasti i fundit në Gaza tregon sjelljen ndaj atyre që i kundërvihet interesave të Perëndimit, raportojnë mediat serbe.
“Nuk besoj se do të ketë çfarëdo lloj sanksionesh, nëse deri në fund të vitit nuk e pranon zgjidhjen për Kosovën e cila i konvenon Washingtonit dhe Brukselit. Megjithatë, ajo çfarë ndodhi me zhvendosjen e ambasadës së SHAB-së në Jerusalem… është ushtrim demonstrues çfarë të ndodhë nëse e kundërshton ndonjë interes të rëndësishëm të fuqive perëndimore”, ka thënë Smajloviq.
Sputnik shkon edhe më larg duke cituar analistin Dragomir Andjelkoviq, që thotë se ekziston rreziku real i një “goditjeje amerikane” ndaj Serbisë, para së gjithash për një sulm mbi serbët e Kosovës.
Andaj, sipas tij, Serbia duhet të mbështesë atë që e quan vetorganizim përmes organizatës Civilna Zastita.
“Ajo u hoq përkohësisht për shkak të Bashkimit Evropian, por duhet të ribëhet urgjentisht sepse edhe ashtu do na duhet në të ardhmen…”, thotë Andjelkovic.