Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, udhëheq delegacionin e lartë rus gjatë vizitës në Serbi, me qëllim që të zhvillojë bashkëpunimin me vendin që synon të bëhet pjesë e BE-së, shkruan rrjeti televiziv britanik BBC.
Në raport përmendet deklarata e Putinit para vizitës, ku akuzonte vendet perendimore për “destabilizimin” e Ballkanit.
Ndërkaq “Bloomberg” në raportin për vizitën e Putinit në Serbi, thotë se ai u prit si hero, përderisa Serbia po përpiqet të fitojë fuqinë e nevojshme për të zgjidhur çështjen e Kosovës.
Gazeta britanike “Guardian” shkruan se Putini i ka bërë presidentit serb Vuçiq nderimet më të larta shtetërore me shpresën se do të forcojë raportet dypalëshe dhe do të rrisë ndikimin e Moskës në Beograd, shkruan REL.
Agjencia “Associated Press” veçon faktin e një pritjeje të lartë për presidentin rus, i cili sipas kësaj agjencie, me këtë vizitë, tregon mbështetjen e tij për “udhëheqësin populist të këtij vendi ballkanik”
Agjencia gjithashtu përmend faktin se Serbia mban lidhje të afërta me Rusinë edhe pse formalisht dëshiron të jetë vend anëtar i BE-së.
“Beogradi refuzon të i’u bashkohet sanksioneve të Perendimit ndaj Moskës për shkak të Ukrainës dhe kundërshton anëtarësimin në NATO” shkruan AP.
Putini zhvillon një vizitë shumë simbolike në Beograd për të shënuar “miqësinë serbo-ruse” shkruan portal francez “Le Courrier des Balkans”. Vizita sipas këtij medium bëhet në kohën kur presidenti Vuçiq po përballet me protesta popullore.
Ky medium shkruan se ekziston një pyetje e hapur, dhe ajo është qëndrimi i Moskës për Kosovën.
“Në interes të Rusisë është të vazhdojë kundërshtimin për pavarësinë e Kosovës dhe ta mbajë “status quon” apo një koflikt të ngrirë, në mënyrë që të justifikojë politikën në Krime të Ukrainës” shkruan medium francez duke shtuar se “ ndoshta Putini mund të pranojë shkëmbimin e territoreve sepse pastaj ky precedent do ti mundësonte shtrirjen e ndikimit, në rast se Republika Serbe do të dëshironte të shkëputej prej Bosnje dhe Hercegovinës.
Historiani dhe eksperti i marrëdhënieve serbo-ruse, Milivoje Beslin vlerësoi për portalin francez se vizita e sotme është një propagandë e mirë për Putinin dhe Vuçiqin.
Beslin beson se Putini nuk ka shumë destinacione në të cilat ai është i mirëpritur për shkak të sanksioneve perëndimore dhe në këtë mënyrë dëshiron të tregojë ndikim në Ballkan. Sipas tij, Vuçiq, nga ana tjetër, duhet të forcojë pozitën e tij në fazën e fundit të negociatave për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Miqësia ndërmjet serbëve dhe rusëve, për shkak se ata janë besimtarë ortodoksë dhe ndajnë trashëgiminë bizantine, është një mit. Për Rusinë, këto janë vetëm interesa strategjike, raportoi mediumi, duke cituar deklaratën e një ish-diplomateje të paidentifikuar.
Gazeta ruse “Komersant” citon historianin rus në Fakultetin e Filozofisë në Beograd, Alexei Timofeyev, të ketë thënë se serbët kanë një dashuri të veçantë për rusët për arsye të ndryshme, duke përfshirë luftën në të njëjtën anë në konflikte, por edhe rënien e entuziazmit në Serbi për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.
“Vizita e Putinit në Beograd është kryesisht me rëndësi politike dhe duhet të përgjigjet në pyetjen parimore: a është Serbia gati të jetë aleati kryesor i Moskës në rajon ose do të vazhdojë afrimin e saj me BE dhe NATO, duke balancuar mes Perëndimit dhe Rusinë”, shkruan e përditshmja ruse “Komersant”.
Gazeta thotë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka nxitur në mënyrë aktive idenë e shkëmbimit të territoreve me Prishtinën, si kusht për normalizimin e marrëdhënieve, pa të cilën integrimi i Serbisë në BE është i pamundur.