Mediat britanike: Koha e fundit që Xhaka të vendosë për Kosovën

Prishtinë | 22 Gus 2016 | 17:15 | Nga

Mesfushorit të Arsenalit, Granit Xhaka, pritet t’i ofrohet shansi për të luajtur për përfaqësuesen e Kosovës në ditët në vijim.

Reprezentuesi i Zvicrës ka lindur në Basel pasi prindërit e tij migruan nga Kosova në vitin 1992.

“Evening Standard” ka mësuar se Federata e Futbollit të Kosovës akoma nuk ka kontaktuar zyrtarisht me Xhakën, por shpresojnë të konfirmojnë vendimin e lojtarit deri në fund të muajit.

Në një letër për “Standard Sport”, një përfaqësues i FFK-së ka konfirmuar ftesat për të gjithë lojtarët.

“Kosova ka ftuar publikisht dhe privatisht çdo futbollist kosovar që luan në kombëtare të tjera. Të gjithë janë të mirëpritur të na bashkohen në sfidat e reja dhe shumë të rëndësishme”, thuhet në njoftimin që i ka dhënë FFK këtij mediumi londinez.

“Xhaka ka mbetur i lidhur me vendin nga ka rrënjët dhe ka vizituar Prishtinën si pjesë të pushimit të tij, ku është takuar me tifozët e Arsenalit në Kosovë”, shkruan më tej “Evening Standard”, transmeton koha.net.

Këta tifozë ditë më parë kanë dërguar një letër publike në drejtim të mesfushorit ku e kanë lutur të luajë për Kosovën me fjalët se “është koha që Graniti të bëhet hero i gjallë i Kosovës”.

Në vitin 2012, Xhaka kishte thënë për “New York Times” se do shikonte se çfarë do të ndodhë kur Kosova të pranohet në FIFA, dhe pas pranimit duket se koha për vendim është kah fundi.

Kosova luan ndeshjen e parë kualifikuese për Botërorin Rusia 2018 më 5 shtator në Turku ndaj Finlandës.

“Evening Standard” shkruan po ashtu se Kosova është duke shpresuar shumë që edhe Taulanti, vëllai i Granitit që përfaqëson Shqipërinë, mesfushori Adnan Januzaj dhe ylli Xherdan Shaqiri do t’i bashkohen shumë shpejt përfaqësueses kosovare.

Mediumi anglez i ka kujtuar Shaqirit deklaratën që kishte dhënë gjatë kohës së Euro 2016.

“Çfarë nëse trajneri i Kosovës më ofron pozitën e kapitenit? Sigurisht, do ta mendoj”, kishte thënë në qershor Shaqiri.

Në fund të artikullit thuhet se FIFA vështirë se do të bllokojë ndonjë lojtar që dëshiron të përfaqësojë Kosovën pasi ka luajtur për një përfaqësuese tjetër.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme