Mbrojtësi i Kombëtares së Italisë, Alessandro Bastoni, është lidhur fuqishëm me një largim nga Interi për t’iu bashkuar Barcelonës gjatë afatit kalimtar veror, por raportimet e së premtes tregojnë se ai nuk është aspak i interesuar të largohet nga “San Siro”.
Raportet e fundit theksojnë se Inter mund të ndërmarrë një “revolucion” në merkato gjatë verës, pas përfundimit të sezonit 2025-26, duke nisur me rinovimin e kontratës së trajnerit Cristian Chivu dhe duke vazhduar me një riformatim të madh të skuadrës. Përveç një liste të gjatë lojtarësh që mund të largohen për shkak të kontratave që skadojnë, edhe Bastoni është përmendur si një nga emrat që mund të sakrifikohen për të siguruar fonde për afrime të reja.
Barcelona është e interesuar dhe, sipas mediave në Spanjë dhe Itali, ka kontaktuar me rrethin e lojtarit për të testuar mundësinë e transferimit.
Megjithatë, sipas raportimit të “Corriere dello Sport”, Bastoni dëshiron të qëndrojë te Inter dhe të vazhdojë të luftojë për trofe me klubin zikaltër.
E njëjta media thekson se interesim për të kishte shfaqur edhe Manchester City disa sezone më parë, por edhe atëherë lojtari kishte këmbëngulur të qëndronte në Itali.
Raportet e fundit shtojnë gjithashtu se ekziston një diferencë e madhe mes vlerësimeve të Barcelonës dhe Interit për Bastonin. Klubi katalanas mendohet të jetë gati të ofrojë rreth 45 milionë euro, ndërsa Inter kërkon nga 60 deri në 70 milionë euro.
Sipas “Corriere dello Sport”, ka pasur kontakte fillestare mes përfaqësuesve të Bastonit dhe Barcelonës, por ato nuk kanë avancuar më tej, pasi lojtari nuk ka dhënë dritën jeshile për të diskutuar një transferim.
Raporti i së premtes sugjeron se mbrojtësi e konsideron Interin si “skuadrën e tij”, sidomos për mënyrën se si klubi e ka mbështetur gjatë periudhës së fundit të vështirë. Klubi qëndroi pranë tij edhe kur ai u vërshëllye në shumicën e stadiumeve në Itali pas fitores kontroverse në “Derby d’Italia” ndaj Juventus, ndërsa tifozët e pritën me duartrokitje në rikthimin e tij pas kartonit të kuq në ndeshjen e “play-off”-it për Kupën e Botës kundër Bosnjës dhe Hercegovinës.