Ajo çfarë duhej të ishte, dhe ashtu edhe ndodhi natyrisht, një festë e madhe për tifozët e Atalantas është shndërruar mbase në shkaktarin kryesor të sëmundjes vdekjeprurëse, koronavirusit Covid-19, në Bergamo, sipas mediave italiane.
Sipas Njësisë për Mbrojtje Civile gjatë Krizave, ndeshja e parë e 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve në San Siro, Milano, mes Atalantas dhe Valencias, e ka shpërndarë në numër të madh koronavirusin në rajonin e Lombardisë, i cili është më i godituri nga Covid-19 në botë, dhe në Spanjë si pasojë, raporton Gazeta Express.
Mbi 45.000 tifozë, italianë dhe spanjollë, kanë qenë në stadium në Milano për ta përcjellë këtë ndeshje historike.
E gjitha nisi në metro e deri në stadium
Mbrëmjen e së mërkurës së shkurtit, sipas Corriere dello Sport, mijëra tifozë ishin rreshtuar ngjitur njëri me tjetrin duke pritur në rënd për t’u futur në stadiumin San Siro. Edhe qindra tifozë të tjerë spanjollë pranë njëri-tjetrit, gjithashtu.
Në mesin e tyre thuhet të ketë pasur persona të infektuar me Covid-19, pasi pak kohë pas ndeshjes, ishin raportuar rastet e para me koronavirus në Valencia.
Para ndeshjes, tifozët e të dy klubeve ishin përzier duke pirë birra së bashku në lokalet e Milanos. E kjo është foleja më e mirë që mund ta gjejë një virus si korona.
Pas ndeshjes, tifozët italianë dhe spanjollë ishin parë duke u përshëndetur me përqafime në harmoni, përkundër faktit se Atalanta e kishte mposhtur 4:1 Valencian atë mbrëmje.
Ndeshja e kthimit tri javë më vonë në Mestalla të Valencias, u zhvillua pa praninë e tifozëve, për shkak se koronavirusi tashmë po shpërndahej në mënyrë të pakontrollueshme.
Që prej atëherë, mbi 4.000 persona kanë vdekur në Itali, shumica absolute pikërisht në rajonin e Lombardisë.