Gana do ta shqyrtojë vendimin për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Kështu njoftojnë mediat serbe duke raportuar rreth një takimi të kryetares së Parlamentit të Serbisë Maja Gojkovic dhe kryetarit të Parlamentit të Ganës Aron Michael Oquaje.
Ky zyrtar i Ganës, siç raportojnë mediat në Serbi, do ta takojë edhe presidentin dhe kryeministrin e Serbisë.
Presidentët e dy parlamenteve kanë theksuar se kjo vizitë është historike pasi Oquaje është zyrtari i parë ganez që ka shkuar në Beograd që prej shpërbërjes së Jugosllavisë.
“Pjesë e vecantë e bisedimeve tona ishin negociatat me Prishtinën dhe Kosovën e Metohinë dhe ruajtja e trashëgimisë së Serbisë në Kosovë dhe Metohi. Kemi folur edhe për qëndrimin e Ganës ndaj Kosovës dhe Oquaje tha se cështja e statusit të Kosovës do të shqyrtohet përsëri” ka thënë Gojkovic.
Ndryshe, në mediat serbe nuk është prezantuar ndonjë dëshmi nëse kryetari i Parlamentit të Ganës vërtetë ka deklaruar diçka të tillë.