Mediat serbe: Kosova sot formon ushtrinë dhe asgjë nuk mund ta ndalojë këtë

Prishtinë | 14 Dhj 2018 | 09:57 | Nga Ekonomia Online

Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, në ushtri edhe formalisht do të ndodhë sot, nëse parlamenti i Kosovës, në leximin e dytë, do të miratojë tre ligje që do të lejojnë Prishtinën për të formuar forca të armatosura.

Kështu e fillon shkrimin e tij mediumi serb, Blic.rs, në titullin e të cilit shkruan se “Prishtina sot formon ushtrinë, dhe asgjë nuk mund ta ndalojë këtë”.

Po sipas këtij mediumi, seanca e parlamentit të Kosovës për të diskutuar çështjen është caktuar për paradite dhe ceremonia e shpalljes së ushtrisë për orët pasdite në kazermën “Adem Jashari” përgjatë rrugës Prishtinë-Fushë Kosovë.

Dhe siç thuhet tutje, e gjithë kjo po ndodh në mes të tensioneve në mes Beogradit dhe Prishtinës, të shkaktuara nga vendimi i autoriteteve të Prishtinës për të rritur tatimin mbi importet e mallrave nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina me 100 për qind, kështu që ushtria do të jetë vetëm një “krem mbi tortë”.

Madje, gjithashtu shkruan mediumi në fjalë, kjo do të ndodhë ndonëse bashkësia ndërkombëtare në mënyrë të përsëritur i ka sugjeruar Prishtinës se nuk mund të formojë ushtrinë dhe se ajo duhet të respektojë Kushtetutën.

Megjithatë, një mesazh tjetër u dërgua dy ditë më parë nga Komandanti i Forcës së Bashkuar të NATO-s në Napoli, James Foggo.

“Kosova ka të drejtë të marrë vendimin e saj për të transformuar FSK-në në ushtri të Kosovës”, tha Foggo, duke shtuar se NATO është gati për një vendim dhe që procesi i transformimit do të zgjasë 10 vjet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme