Nëse Kosova anëtarësohet në INTERPOL, në listën e personave ndaj të cilëve do të lëshojë urdhërarrest Kosova do të gjendet ish ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, gjenerali Lubisha Dikoviq, kështu citon gazeta beogradase “Blic”, përcjell Klan Kosova.
Duke u thirrur në burime diplomatike nga Prishtina, gazeta serbe thotë se emri i gjeneralit Dikoviq është përmendur edhe më parë. Ai ngarkohet me përgjegjësi për krimet e kryera gjatë luftës në zonën e përgjegjësisë së Brigadës 37 të motorizuar, e cila atëherë ishte nën komandën e gjeneralit Dikoviq.
Sipas gazetës serbe, në listën e personave ndaj të cilëve do të ngritet urdhërarrest nga INTERPOL-i do të jenë edhe zyrtarë policorë të niveleve më të ulëta, por jo vetëm ata.
“Autoritetet e Prishtinës synojnë të ndjekin edhe civilët serbë, për të cilët pohojnë se kanë marrë pjesë në njësitë paraushtarake. Dyshohet se të paktën 50 serbë në këtë bazë mund të gjenden në listën e atyre që do të lëshohet urdhërarrest ndërkombëtar” thuhet më tutje.