“Medica Gjakova” lanson procedurat dhe manualin për qasjen ndaj traumës dhe stresit

Prishtinë | 17 Pri 2026 | 12:36 | Nga Ekonomia Online

Në një sistem shëndetësor ku gjithnjë e më shumë theksohet rëndësia e kujdesit të ndjeshëm ndaj pacientit, “Medica Gjakova” ka lansuar Procedurat Standarde Operative (PSO) dhe Manualin për qasjen ndaj stresit dhe traumës (STA-HS), me synimin për të avancuar një qasje më humane dhe gjithëpërfshirëse në institucionet shëndetësore të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

PSO synon që institucionet publike të kujdesit shëndetësor parësor dhe dytësor të ofrojnë reagim të sigurt, konfidencial dhe të orientuar tek e mbijetuara, raporton Ekonomia Online.

Drejtoresha Ekzekutive e “Medica Gjakova”, Mirlinda Sada, theksoi rëndësinë e reflektimit mbi mënyrën e ofrimit të kujdesit shëndetësor, veçanërisht për personat me përvoja të vështira.

“Jemi këtu për të reflektuar mbi mënyrën se si kujdesemi për njerëzit, sidomos për ata që kanë përvoja të vështira. Shpesh përvojat e tyre janë të padukshme, por me ndikim të thellë në jetën e tyre. Në këtë kontekst, është e rëndësishme t’i kujtojmë edhe ato që shpesh mbesin të padëgjuara: të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës seksuale gjatë luftës dhe pas saj. Në një vend si Kosova, ku përvoja e traumës është pjesë e historisë sonë kolektive, por edhe e realiteteve të përditshme për shumë individë, mënyra se si ofrojmë kujdesin shëndetësor ka një peshë të veçantë. Sepse kujdesi shëndetësor nuk është vetëm trajtim, është edhe mënyra se si një person ndihet i dëgjuar, i respektuar dhe i sigurt.

Pikërisht për këtë arsye, qasja e ndjeshme ndaj stresit dhe traumës nuk është një shtesë në sistem, por është një domosdoshmëri. Sot lansojmë procedurat standarde të veprimit, si dhe manualin për qasjen sensitive ndaj stresit dhe traumës në shërbimet shëndetësore, si një përpjekje konkrete për të avancuar praktikat tona dhe për të mbështetur profesionistët shëndetësorë në ofrimin e një kujdesi të ndjeshëm, më të sigurt dhe më të përgjegjshëm.

Ky rrugëtim nuk ka filluar sot. Ideja për këtë program ka lindur vite më parë. Në një fazë të hershme, doktor Merita dhe unë patëm mundësinë të vizitojmë Bosnje-Hercegovinën dhe konkretisht Medica Zenica me disa mjekë dhe infermierë pjesë e programit, për të parë nga afër se si kjo qasje po zbatohej në praktikë. Ajo përvojë ishte shumë domethënëse për ne, pasi që na tregoi se ndryshimi është i mundur, por kërkon kohë, përkushtim dhe një qasje të strukturuar”, tha ajo.

Më tej, Sada foli për zhvillimin dhe shtrirjen ndërkombëtare të programit, duke përfshirë edhe komponentët kryesorë të tij.

“Duke u mbështetur në këto përvoja dhe në modelet që kishin filluar më herët në Bosnje-Hercegovinë dhe Afganistan, ne filluam të zhvillojmë idenë në kontekstin tonë, duke përfshirë edhe një proces të studimit të fizibilitetit. Në vitin 2018, filluam implementimin e programit transnacional për trajnimin e profesionistëve shëndetësorë, si një iniciativë që zbatohet në Kosovë, Bosnje-Hercegovinë, Afganistan dhe Irak, dhe në fazën tjetër do të zhvillohet edhe në Liberi. I gjithë programi zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me Medica Mondiale në Gjermani.

Ky program është i ndërtuar mbi tri komponentë. Ato janë: Zhvillimi i kapaciteteve përmes trajnimeve, trajnimi për trajnerë për profesionistët shëndetësorë, institucionalizimi i qasjes së ndjeshme ndaj stresit dhe traumës. Si edhe ndërkombëtarizimi dhe rrjetëzimi. Në kuadër të komponentës së tretë, është duke u zhvilluar edhe manuali ndërkombëtar dhe pritet të lansohet së shpejti. Në Kosovë kemi arritur rezultate konkrete. Kemi trajnuar profesionistët shëndetësorë dhe kemi ndërtuar një rrjet të qëndrueshëm trajnerësh. Kemi zhvilluar strategjinë rajonale me qasje të ndjeshme ndaj stresit dhe traumës, manualin dhe procedurat standarde të veprimit që po i lansojmë sot. Një arritje shumë e rëndësishme është edhe akreditimi i moduleve të trajnimit nga Oda e Mjekëve dhe Oda e Infermierëve, duke e bërë këtë qasje më të rëndësishme për zhvillim profesional. Në të njëjtën kohë kemi filluar edhe integrimin e kësaj qasjeje në edukimin e vazhdueshëm profesional në disa QKMF dhe në spitale rajonale. Këto rezultate tash po zbatohen në praktikë në komunat si Gjakovë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Klinë dhe Istog. Ndërkohë, shumë shpejt presim të vazhdojmë zgjerimin e këtij programi edhe në komunat Ferizaj dhe Gjilan”, theksoi tutje Sada.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, vuri në pah rëndësinë e një qasjeje gjithëpërfshirëse në trajtimin e pacientëve dhe integrimin e traumës në politikat shëndetësore.

“Shëndeti nuk është vetëm trajtim i sëmundjes; ai është kujdes ndaj njeriut në tërësinë e tij fizike, psikologjike dhe sociale. Sistemet moderne shëndetësore sot po kuptojnë gjithnjë e më qartë se përvojat e stresit dhe traumës ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e individit, në mënyrën se si pacientët kërkojnë ndihmë, e aq më shumë në një komunitet të veçantë, atë që trajton edhe shoqata “Medica”.

Për Kosovën, një shoqëri që ka kaluar sfida të shumta sociale, ekonomike dhe historike, integrimi i një qasjeje të ndjeshme ndaj traumës nuk është vetëm një reformë profesionale, është përgjegjësi institucionale dhe njerëzore. Lansimi i procedurave standarde operative dhe manualit për qasjen e ndjeshme ndaj stresit dhe traumës përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi shëndetësor më human, më gjithëpërfshirës dhe, çka është më e saktë, është edhe më e sigurt për shërbimet shëndetësore për pacientët tanë.

Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar që kjo qasje të mos mbetet vetëm në dokumentet e hartuara nga ekspertët vendorë apo ndërkombëtarë, apo asistencë teknike, por të shndërrohet në një praktikë të përditshme në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor: nga kujdesi parësor, dytësor dhe tretësor. Po e përsëris prapë, në sektorin publik, por me patjetër edhe në atë privat.

Në këtë proces, roli i profesionistëve shëndetësorë është kyç. Ata janë pika e parë e kontaktit me pacientin dhe bartësit realë të ndryshimit kulturor në institucionet tona shëndetësore. Kur e përmend “kulturor”, profesionistët tanë shëndetësorë do të lehtësohen me përvojën e ekspertëve të përkthyer në dokument, por shpresoj dhe ju bëj thirrje që të shprehet empatia e theksuar ndaj punës me pacientët”, thotë ai.

Udhëheqësja e Zyrës Ligjore në Odën e Mjekëve të Kosovës, Qlirimtare Krasniqi, theksoi rëndësinë e rolit të institucionit në sigurimin e cilësisë së trajnimeve dhe zbatimin praktik të tyre.

“Si pjesë e këtij angazhimi, pjesëmarrja jonë aktive në kuadër të programit THDP dëshmon rolin tonë përtej akreditimit. Qasja ndaj stresit dhe traumës, veçanërisht në rastet e ndjeshme si dhuna me bazë gjinore, është një fushë ku profesionalizmi nuk matet vetëm me dije klinike, por edhe me mënyrën se si mjeku qaset, komunikon dhe vepron ndaj pacientit.

Prandaj, përmes akreditimit, ne sigurohemi që këto trajnime të mos mbesin vetëm në nivel formal, por të kenë ndikim real në praktikë. Oda e Mjekëve të Kosovës akrediton programe me qëllim të ngritjes së kapaciteteve profesionale të anëtarëve të saj dhe përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve ndaj pacientit.

Si institucion, ne mbetemi të përkushtuar në zbatimin e Ligjit për Shëndetësinë dhe në mbështetjen e aktiviteteve që kontribuojnë në avancimin e këtyre standardeve”, tha Krasniqi.

Nënkryetarja e Odës së Infermierëve të Kosovës, Leonora Bakija, foli për rëndësinë e edukimit të vazhdueshëm profesional për infermierët.

“Oda jonë i jep rëndësi të veçantë zhvillimit profesional të infermierëve, duke kontribuar vazhdimisht në ngritjen profesionale për cilësi të shërbimeve shëndetësore. Në këtë drejtim, kemi akredituar programe të ndryshme trajnuese për stafin infermieror. Disa nga këto programe janë realizuar edhe në bashkëpunim me Medica Gjakovën, të cilët i falënderoj për kontributin në ngritjen e kapaciteteve shëndetësore.

Ne besojmë se edukimi i vazhdueshëm është çelës për një kujdes të mirë ndaj pacientëve dhe një sistem shëndetësor më të fortë”, tha Bakija.

Të ngjashme