Shpallja e aktgjykimit për vrasjen e Liridona Ademajt bëhet më 21 prill

Prishtinë | 17 Pri 2026 | 13:03 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e trupit gjykues në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, Fatime Dermaku, ka njoftuar për përfundimin e shqyrtimit gjyqësor dhe datën e shpalljes së aktgjykimit, raporton Ekonomia Online.

Ajo bëri të ditur se vendimi për këtë çështje penale do të shpallet më 21 prill në orën 13:30.

“E shpall të mbyllur këtë proces gjyqësor. Aktgjykimi në këtë çështje penale do të bëhet me datë 21 prill në ora 13:30”, tha ajo.

Në këtë rast, të akuzuarit kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në shpalljen e aktgjykimit.

Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq, ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit, duke theksuar se nuk ekzistojnë rrethana lehtësuese dhe se provat e administruara e dëshmojnë plotësisht fajësinë e tyre.

Në fjalën përfundimtare, ajo ka deklaruar se vrasja ka qenë e planifikuar në mënyrë të detajuar nga i akuzuari kryesor, Naim Murseli, me motiv financiar dhe për shkak të raporteve të prishura bashkëshortore.

Ndërsa, avokati i të akuzuarit Naim Murseli, Shemsedin Piraj, ka kundërshtuar provat dhe kualifikimin juridik në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, duke theksuar se gjatë procesit gjyqësor ka pasur mangësi në hetim, raporton Ekonomia Online.

Të ngjashme