Mbledhja e thirrur nga Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, ku do të diskutohen dy pika të rendit të ditës nuk është lejuar që të përcillet nga mediet, raporton Ekonomia Online.
Në rend dite është “Vlerësimi i performances dhe përmbushjes së detyrave të menaxhmentit të lartë sipas përcaktimeve të ligjeve dhe Statutit në fuqi, dhe vendosja për përgjegjësinë institucionale sipas gjetjeve të KD”, që sipas rektorit Naser Sahiti dhe disa organizatave po konsiderohet si inicim për shkarkimin e këtij të fundit.
Dje gjatë ditës në një konferencë për media rektori Sahiti tha se nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit pasi e konsideron se është thirrur në mënyrë të jashtëligjshme.
Ai shtoi se në zgjedhjet e mbajtura në qershor për Këshillin Drejtues të UP-së është zgjedhur një kandidat, i cili ka plagjiaturë.