Afër 10 mijë euro i kushtoi buxhetit të Kosovës seanca e jashtëzakonshme vetëm për mëditjet e deputetëve që morën pjesë në seancën e djeshme.
Megjithëse u mblodhën për të nxjerrë një rezolutë të përbashkët pas arrestimit të liderit të AAK-së në bazë të një fletarresti serb, deputetët e koalicionit qeveritar dhe opozitës dështuan në këtë mision.
Dështuan ta votojnë, por jo edhe ta përmbushin një mision tjetër – atë të përfitimit nga seancat ku marrin pjesë.
Veç pagës bazë që arrin rreth 1 500 euro, secili nga deputetët pjesëmarrës në seancë do të marrë edhe mëditjen “e jashtëzakonshme”.
Një deputet merr 120 euro mëditje për një seancë. E për 83 të tillë, aq sa ishin prezentë në momentin e votimit të rezolutave për Haradinajn, i kushtuan arkës së shtetit 9 960 euro.
Kjo është mëditja e parë e deputetëve për vitin 2017, e të tjera i presin pas 16 janarit, atëherë kur kuvendi nisë punën në sesionin e ri. (kallxo.com)