Mefail Bajqinovci i eksaltuar me “thellësinë” e liderit, “e ka pranuar edhe Vuçiqi…”

Prishtinë | 13 Mar 2023 | 13:58 | Nga Ekonomia Online


Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka shpërthyer në ekzaltim me lëvdatat e thurura për kryeministrin dhe liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Bajqinovci ka folur për Kurtin në superlativ, duke thënë se ai “është shumë i thellë” dhe se “edhe Vuçiqi e ka pranuar se është i vështirë në diskutime dhe bisedime”.

“Lum Kosova që e ka”, ka vazhduar Mefi, t’i thurë tirada shefit të tij.

“Albin Kurti i raportet shumë të afërta me të gjithë deputetët. Albin Kurti është një njeri shumë i informuar, jashtëzakonisht i informuar edhe për çdo temë e ka përgjigjen edhe është shumë i thellë dhe mendoj që lum Kosova që e ka kryeministër që të mos ketë shqetësim mos të bëhet ndonjë koncesion. Është i vetmi njeri që e ka pranuar edhe Vuçiqi që është i vështirë në diskutime dhe bisedime”, ka thënë ai në RTV Dukagjini.

“Është duke e menaxhuar vendin ashtu siç ka premtu dhe unë besoj se brenda një kohë të shkurt Kosova do të jetë e barabartë me shtetet sa i përket korrupsionit dhe krimit të organizumë brenda dy vitet të ardhshme do të krahasohemi me shtetet e Bashkimit Evropian e jo siç kemi qenë para dy vjetëve me Sudan”, u shpreh deputeti.

Bajqinovci tha se Kurti është i afërt prandaj sipas tij edhe shprehet “dashuria” ndaj tij.

“Albin është njeri i afërt, Albin bën hajgare shumë, kush rrin me të e sheh se sa është i afërt, të gjithë ata që e njohin dhe për këtë arsye shkruajnë”, deklaroi Bajqinovci.

Ai ka thënë se Albini nuk ka shtëpi dhe krejt çfarë ka bërë është për Kosovë.

“Është i vetmi njeri që nuk ka asgjë në trashëgimin e tij është pa shtëpi krejt çka bënë është për popullin dhe shtetin e Kosovës… Albin është një prej liderëve që mendoj se Kosovën do ta çojë shumë përpara, hapat e parë janë këto dy vite…” – ka thënë ai.

Të ngjashme