Mefail Bajqinovci i përgjigjet AGK-së: E vërteta nuk mund të quhet sulm

Prishtinë | 23 Mar 2026 | 18:05 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka reaguar ndaj deklaratës së Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, i cili kishte shprehur shqetësim për, siç u tha, një “fushatë agresive” që mund të rrezikojë punën e gazetarëve.

Përmes një postimi publik, Bajqinovci ka mohuar këto pretendime, duke theksuar se bëhet fjalë vetëm për shpërndarjen e një materiali tashmë publik.

“Së pari, të jemi të qartë: ne kemi shpërndarë vetëm një video publike të gazetarit Kreshnik Gashi nga BIRN-i. Asgjë më shumë,” ka shkruar ai.

Deputeti i LVV-së ka insistuar se veprimi i tij nuk përbën sulm ndaj mediave. “E vërteta nuk mund të quhet sulm. Transparenca nuk është kërcënim,” theksoi Bajqinovci.

Ai gjithashtu ka bërë thirrje që institucionet e drejtësisë të fokusohen në çështje të tjera që i konsideron më serioze.

“Në vend të deklaratave të nxituara, Prokuroria duhet të merret seriozisht me të gjithë ata që marrin para nga UDB-ja e Serbisë dhe që tentojnë të ndikojnë opinionin publik në Kosovë,” deklaroi ai.

Bajqinovci shtoi se mbrojtja e lirisë së medias kërkon veprim aktiv.

“Liria e medias nuk mbrohet duke heshtur përballë ndikimeve të jashtme, por duke i ekspozuar ato,” shtoi ai.

Të ngjashme