Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka raportuar para Komisionit për Siguri në Kuvendin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ai, gjatë raportimit të tij, ka thënë se synim i Ministrisë së Mbrojtjes është anëtarësimi i FSK-së në NATO.
“Synimi jonë është anëtarësimi në NATO. Ushtarët tanë po marrin pjesë në ushtrime ndërkombëtare krah ushtrive të ndryshme ndërkombëtare. Jemi në përgatitje të ‘Defender 23’, si nikoqir për herë të dytë ku Ushtria e Kosovës do të marrë pjesë më 1 350 ushtarë”.
Ministri ka theksuar se gjatë vitit 2022 në total janë rekrutuar 1 230 ushtarë dhe se 3.5% e tyre ose 127 ushtarë e kanë lëshuar FSK-në për një vit.
“Sa i përket ngritjes së kapaciteteve profesionale ushtarët ndjekin studime në akademitë më prestigjioze në botë si në SHBA, Gjermani, Kroaci, Mbretëri të Bashkuar, Turqi dhe më gjerë”.
“Gjatë këtij viti janë trajnuar rreth 2 047 ushtarakë jashtë vendit. Krahas kësaj është investuar edhe ngritjen e kapaciteteve operacionale me blerjen e pajisjeve ushtarake”.
“Gjatë vitit 2022 buxheti i investuar në këtë vit tejkalon vitin 2021 me 84%, vitin 2020 me 99% dhe vitin 2019 më 98%.Blerjet janë realizuar përmes marrëveshjeve shtet me shtet”.
Mehaj shtoi tutje se kanë punuar qw ta fusin si lëndë Edukimi për Siguri në kurrikula shkollore, në mënyrë që të inkurajojnë të rinjtë t’i bashkohen Ushtrisë së Kosovës.
“Lëndën Edukimi për Siguri synojmë ta fusim në kurrikula shkollore, që ta rrisim atdhedashurinë dhe të inkurajojmë të rinjtë t’i bashkohen Ushtrisë së Kosovës”, theksoi Mehaj.