“Promovimi i dhunës ndaj grave nё mediat audio vizive – rasti i Klan Kosovës”, ka qenë temë diskutimi në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, ku po shfaqen shqetësime të disa deputetëve lidhur me rastin e detyrimit të viktimës për të ndarë hapësirën me dhunuesin, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Komisionit të Pavarur për Media, Jeton Mehmeti ka deklaruar se deri tani për këtë “reality show” kanë marrë 7 ankesa, ku katër prej tyre janë për rastin e detyrimit të viktimës për të ndarë hapësirën me dhunuesin.
Po ashtu, ai ka kërkuar që ky emision të kodohet, në mënyrë që të mos kenë qasje fëmijët.
“Ne kemi marrë ftesën në lidhjen me rastin e një televizioni apo shfaqjen e realitet të quajtur Big Brother. Nuk kemi pasur edhe shumë kohë sepse na ka ardhur vonë ftesa. Dje po ashtu dhe në ditët në vijim kemi pranuar disa kërkesa nga qytetarë të ndryshëm në lidhje me këte show televizionin, kemi pranuar 7 kërkesa. Katër prej tyre detyrimi i viktimës për të ndarë hapësirën me dhunuesin dhe 3 keqpërdorimin me Inteligjencë Artificiale. Asnjë prej këtyre ankesave nuk kemi arritur t’i trajtojmë sepse kanë ndodhur shumë shpejtë dhe shumica kanë ardhur dje. Njëjtë edhe viteve të kaluara kanë ardhur dhe i kemi trajtuar. Shfaqjet televizive nënkupton zhanër televiziv pa një skenar të caktuar dhe këta banor janë në vazhdimisht me mikrofon. Duke parë rrezikun që shfaqet për shkak se janë drejtpërdrejtë, kemi kërkuar që t’i kodojnë këto emisione që fëmijët mos të kenë qasje direkte në ta”, ka thënë Mehmeti.
Kryetarja e Komisionit, Duda Balje ka kërkuar llogari nga KPM-ja se pse nuk kanë reaguar deri më tani.
“Pse nuk keni reaguar, ju jeni palë përgjegjës, kur keni pasur baza për reagim. Ne duam ta dimë se KlanKosova a ka shkelur ligjin. Të gjithë po flasin se është hyrë një dhunues ndaj viktimës”, ka pyetur Balje.
“Kemi caktuar mbledhjen e radhës me datën 26 do të kemi takimin”, u përgjigj Mehmeti.
Anëtarja e KPM-së, Lulejta Aliu ka thënë se ky rast është shqetësues, por theksoi se komisioni nuk ka të drejtë që të vendosën rregulla për një emision televiziv.
“Kuptoj shqetësimin, për mua ka qenë shumë shqetësues nëse e shoh pjesën personale. Në bazë të dokumenteve tona nuk kemi të drejtë një televizioni se kë mund ta ftoni në televizion apo kë të përjashtojnë. Ne si KPM si qytetarë na ka shqetësuar jashtë mase. Është një kohë shumë e shkurtër dhe ne duhet të ulemi dhe të analizojmë rastin nuk do te thotë që nuk do të gjejmë një mundësi të tillë”, ka thënë Aliu.
Deputetja e VV-së Arjeta Fejza ka kërkuar llogari nga KPM-ja për të ndërmarrë masa ndaj këtij reality show.
“Ftesa është bërë dje, të gjithë ne jemi dëshmitar të asaj se çka ndodhi në një reali show, nga ajo që kemi parë është abozuar një viktimë në familje. Tashmë ka reagim edhe ne si komision me shqetësim te madh kemi parë këtë tendencë. Dhe normalizim të bashkëjetesës së dhunës dhe e kemi ftuar këtë takim se cilat duhet të ndermirën masat”, tha Fejza.
Nimon Rracaj, kryeshef ekzekutiv ne KPM, ka potencuar se është shumë herët të flitet për shkelje.
Sipas tij, KPM nuk ka mandat për masa penale, duke shtuar se duhet vepruar në baza ligjore e jo me emocione.
“Është herët të flitet për shkelje ose jo, deri më tani nuk është përfunduar ky proces ankesat kanë ardhur shumë. Ne do ta mbikëqyrim përmbajtjen programore, nëse aty abuzohet dhuna. KPM nuk ka mandatë për masa penale, televizionet përmbajnë sjellje të dhunës. Vendi ka miratuar një ligj që ka dhënë kompetencë shtesë mediave online. E kemi marrë me shqetësim por nuk mund të trajtojmë emocionalisht por në baza ligjore”, ka potencuar Racaj.