Një nga “mëkatet” më të mëdha të qeverisjes joefektive të Albin Kurtit është se do t’ia mundësojë rikthimin në pushtet kësaj opozite jo të reformuar. Qytetarët do mbeten pa alternativë kur e shohin kotësinë e pushtetit aktual. Atëherë nuk kanë opsion tjetër pos të përcaktohen për rikthimin e atyre që i degdisën nga pushteti jo shumë kohë më parë.
Është e ditur që nga koha e De Tokëvillit se nuk ka asgjë me neveritëse në sytë e njerëzve se sa kur pushteti shndërrohet qëllim në vetvete. Bëhet i zbrazët. Pa përmbajtje. Dhe nuk përfaqëson asgjë. Sepse njerëzit nuk i vërejnë efektet dhe veprimet e tij. Ata nuk kanë asnjë interes të jenë luajal ndaj tij. Dhe fjalën interes nuk duhet ta kuptojmë në sensin pezhorativ, siç jemi mësuar zakonisht ta përdorim, por në kuptimin autentik, siç na e transmeton tradita e mendimit politik romak, si “inter- esse” ajo që qëndron në mes qenieve.
Albin Kurti mund edhe të supozoj se edhe duke mos bërë asgjë mund të qëndroj në pushtet, sepse mund ta shantazhojë një pjesë të opozitës për shkak të së kaluarës së saj. Por, nuk ka gabim më të madh në politikë se sa ky kalkulim. Edhe opozita e sotme dikur shpresonte se e ka të garantuar përjetësisht pushtetin, sepse alternativë e kanë një opozitë qe ka qëndrim refuzues ndaj dialogut, nuk ka marrëdhënie të mira më bashkësinë ndërkombëtare dhe atë veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje, nuk është e largët koha kur ambasada amerikane as që denjonte t’i ftonte përfaqësuesit e Vetëvendosjes as në ceremoni sikur kjo e 4 korrikut. Por, praktika tregoi se në politikë sa shpejtë mund të ndryshojnë gjërat.
Mbase, Albin Kurti mund edhe ta ndjek këtë strategji ndaj një pjese të opozitës, si mjet për ta bërë atë vetëm ta simulojnë rolin opozitar, por ai nuk mund ta menaxhojë dhe kontrollojë vullnetin kolektiv të qytetarëve të Kosovës për ndryshim. Dhe ky vullnet mund t’i rikthehet të parit atij në bumerang. Zgjedhjet lokale ia dëshmuan këtë. Sepse, kërkesa të tilla kur marrin jetë, zakonisht kanalizohen nga ata që janë në skenë. Ashtu, siç e kanalizoi Albini “revoltën” demokratike të qytetarëve të Kosovës kundër establishtmentit “tradicional” politik. Ai e korri këtë sukses jo pse ishte më miri, as më i bukuri, as më i dituri dhe as më i moralshmi, apo se kishte atribute profetike, apo edhe ishte i përzgjedhuri i Historisë, por sepse mungonte çdo opsion tjetër për ta përfaqësuar frustrimin e madh publik që u krijua ndër vite. Ai qëlloi të ishte në kohën e duhur dhe në momentin e duhur, kur shumica e qytetarëve të Kosovës mbeten të pa përfaqësuar nga ish-pushteti. Thjesht ai e shfrytëzoi këtë mundësi. E plotësoi një vakum të madh politik.
E një skenar i tillë do të ishte fatal. Sepse do të shënonte një prapakthim politik, shoqëror dhe ekonomik.