Meksika e dekriminalizon përdorimin e kanabisit

Prishtinë | 29 Qer 2021 | 11:58 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Supreme e Meksikës e ka dekriminalizuar përdorimin privat të kanabisit nga të rriturit, duke e cilësuar si jokushtetuese masën e deritashme për ndalimin e tij.

Me tetë vota për e tri kundër, kjo gjykatë vendosi që të rriturit të kenë mundësi të aplikojnë për leje që të kultivojnë dhe të konsumojnë kanabis. Sidoqoftë, një veprim i tillë do të jetë i ndaluar në vende publike dhe para fëmijëve.

“Sot është ditë historike për liritë”, tha kryetari i Gjykatës Supreme të Meksikës, Arturo Zaldivar.

Megjithatë, disa grupe thanë se vendimi i ri i gjykatës nuk pritet të sjellë ndryshime të mëdha së shpejti. Organizata Joqeveritare “Meksika e Bashkuar Kundër Krimit” tha se vendimi nuk i dekriminalizon veprimet që nevojiten për ta realizuar konsumimin, si posedimi dhe transportimi i kanabisit.

Dhoma e ulët e kuvendit e miratoi legalizimin e kanabisit në mars, por legjislacioni duhet të miratohet edhe në dhomën e lartë, në Senat, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Legjislacioni do t’ua lejonte përdoruesve që të bartin deri në 28 gramë të kësaj droge dhe të kultivojnë deri në tetë bimë për përdorim personal.

Përkrahësit e kësaj mase shpresojnë se ajo do ta pakësojë dhunën që lidhet me tregtinë ilegale të drogës, që besohet se shkakton mijëra të vrarë në Meksikë çdo vit.

Të ngjashme