Memli Krasniqi: Do të shkojmë në takimin e ftuar nga Kurti e Osmani

Prishtinë | 12 Mar 2021 | 12:47 | Nga Ekonomia Online

PDK-ja i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për të marr pjesë në takimin ku do të diskutohet për formimin e institucioneve, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Kjo ftesë e VV-së erdhi pasi kjo parti mori gati 50% të votave të përgjithshme në këto zgjedhje.

Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar ftesa për tri partitë më të mëdha në vend, për të biseduar rreth konstituimit të institucioneve, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, shkruan Gazeta Express.

Partia e parë që i është përgjigjur pozitivisht ftesës së liderit të VV-së, Albin Kurti dhe u.d. të Presidentit, Vjosa Osmani është Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Nënkryetari i kësaj partie Memli Krasniqi, ka konfirmuar për Express, se kjo parti do të marrë pjesë të hënën në takimin e thirrur nga Kurti e Osmani.

“PDK-ja do të marrë pjesë në takimin e ftuar të hënën. Si parti kryesore opozitare, qëndrimet tona rreth formimit të institucioneve do t’i bëjmë të njohura në takim”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkohë VV-ja ftesë ka dërguar edhe në AAK.

Nga kjo e fundit ende nuk janë deklaruar nëse do të marrin pjesë apo jo në takimin e thirrur nga Kurti dhe Osmani.

Kujtojmë që fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit doli Lëvizja Vetëvendosje me 49,95% të votave të përgjithshme, e pasuar nga PDK-ja me 16.90% të votave dhe e treta u rendit LDK-ja me 12.64% të votave.

AAK-ja në këto zgjedhje mori vetëm 7.07% të votave.

Të ngjashme