Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka bërë të ditur se me vendim të Kryesisë dhe në përputhje me statutin e PDK-së, kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci nga sot është emëruar edhe U.D kryetar i Degës së PDK-së në Drenas.
Kreu i PDK-së ka shkruar në faqen e tij në Facebook se Drenasi është bastion i pathyeshëm i Partisë Demokratike të Kosovës dhe qytetarët e Drenasit nuk kanë pasur kurrë dilemë se ku është adresa e tyre politike.
“Ramizi e ka transformuar Drenasin dhe ka plan e pasion për zhvillimin e mëtejmë e kësaj komune. Për të, kjo garë nuk është manifestim i pushtetit, por përkushtim ndaj qeverisjes që zhvillon e hapë perspektivë. Prandaj, ai do të fitojë, sepse qytetarët e Drenasit janë të vendosur për zhvillim dhe ata e dinë se zhvillimi në Drenas është projekt i përhershëm i Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Krasniqi.
Deklarata e plotë e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi:
Drenasi është bastion i pathyeshëm i Partisë Demokratike të Kosovës dhe qytetarët e Drenasit nuk kanë pasur kurrë dilemë se ku është adresa e tyre politike. Ramiz Lladrovci është dhe do jetë kryetar i Drenasit, sepse puna e tij është vlerësuar nga qytetarët dhe fitorja e tij s’do të mund të grabitet nga oportunistët.
Nga sot, Ramiz Lladrovci është edhe U.D. i Kryetarit të Degës së PDK-së në Drenas e do të udhëheqë Kryesinë e re të degës sonë atje. Ky vendim u votua sot në mbledhjen e Kryesisë së partisë, bazuar në Statutin e PDK-së.
Ramizi e ka transformuar Drenasin dhe ka plan e pasion për zhvillimin e mëtejmë e kësaj komune. Për të, kjo garë nuk është manifestim i pushtetit, por përkushtim ndaj qeverisjes që zhvillon e hapë perspektivë. Prandaj, ai do të fitojë, sepse qytetarët e Drenasit janë të vendosur për zhvillim dhe ata e dinë se zhvillimi në Drenas është projekt i përhershëm i Partisë Demokratike të Kosovës.
Qytetarëve të Drenasit iu jemi thellësisht mirënjohës që kanë rrugëtuar së bashku me PDK-në për tashmë dy dekada dhe që të palëkundur e me besim në të ardhmen që do të ndërtojmë së bashku, do ta festojnë fitoren e PDK-së në raundin e dytë, duke mbështetur masivisht kryetarin Lladrovci në mandatin e ri për zhvillim e perspektivë.