Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka marrë pjesë në promovimin e librit kushtuar trajnerit të xhudos, Toni Kuka.
Krasniqi e ka vlerësuar shumë punën që trajneri ka bërë dhe tha se ai ka promovuar Kosovën në mënyrën më të mirë.
“Të arriturat e Tonit si trajner janë të jashtëzakonshme dhe shkojnë përtej dimensionit sportiv, duke e shndërruar atë dhe xhudistët e udhëhequr nga ai në ambasadorët më të mirë të vendit tonë, të cilët e kanë bërë të njohur Kosovën në mbarë botën”, tha Krasniqi.
Ai kujtoi edhe kohën kur ishte ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit e që sipas tij ka qenë periudhë sfiduese për ekipin e xhudos.
“Ishte nder dhe krenari për mua, që si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të bashkëpunoja ngusht me Tonin dhe Federatën e Xhudos së Kosovës, në periudhën më sfiduese për ta, por edhe kohën e artë të sukseseve të tyre të panumërta”, shkroi i pari i PDK-së në facebook.