Kohëve të fundit në Kosovë është vërejtur një fenomen i shtuar i vjedhjeve. Për këtë gjë, nisën dhe angazhime më të mëdha nga Policia e Kosovës për të parandaluar rastet e tilla.
Por nuk është vetëm Kosova ajo e cila po përballet me grabitësit. Me ta dita e ditës shfaqen probleme edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e viktimë e tyre kësaj radhe del të jetë një mërgimtar kosovar.
Shpend Haxhaj po priste për të udhëtuar për pushime në Kosovë, por ai papritur humbi më shumë se 8 mijë dollarë vetëm pak kohë para se ta lëshonte SHBA-në.
Rreth këtij rasti ka raportuar edhe televizioni nju jorkez, CBC, ku thuhet se policia atje është duke kërkuar ndihmën e banorëve për të gjetur dorasin i cili i vodhi kuletën kosovarit me shtetësi amerikane.
Lidhur me këtë ky televizion ka ndarë edhe pamje të momentit të cilat janë kapur nga kemrat e sigurisë në qytezën Lyndhurst.
Aty shihet një burrë dhe një grua të cilët dalin nga vetura e tyre dhe marrin kuletën e Shpend Haxhajt, kosovarit të cilit ajo i kishte rënë pa dijeninë e tij.
Në intervistën e tij të dhënë për televizionin amerikan, Shpend Haxhaj ka pranuar se përveç parave, ka humbur edhe disa dokumente identifikimi përfshirë patent shoferin dhe kartën e kreditit.