Kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti i Francës Hollande thonë se Presidenti sirian është i vetmi që mbanë përgjegjësinë. Ndërsa Putini i ka quajtur sulmet amerikane në Siri “agresion kundër një kombi sovran”.
Kancelaria gjermane ka lëshuar një kumtesë të përbashkët të Kancelares Angela Merkel dhe Presidentit francez Francois Hollande – disa orë pas sulmeve amerikane në bazat siriane. Në kumtesë thuhet: “Presidenti Assad është përgjegjësi i vetëm për këto zhvillime. Sulmet e tij me mjete kimike dhe krimet ndaj popullit duhet të sanksionohen, ashtu siç Franca dhe Gjermania kanë kërkuar në verën e vitit 2013, pas masakrës në Ghuta.”
Kjo kumtesë është miratuar së pari në Berlin dhe në Paris – pas një telefonate mes Merkelit dhe Hollande. Por në kumtesë thuhet se Gjermania dhe Franca kërkojnë një përgjigje të përbashkët të bashkësisë ndërkombëtare dhe një zgjidhje politike për kalimin e pushtetit në Siri.
Po Rusia?
Moska si partneri më i ngushtë i Baschar el-Assadit e ka cilësuar sulmin në bazën siriane si sulm edhe kundër interesave ruse. Presidenti Vlladimir Putin e ka quajtur bombardimin amerikan si agresion ndaj një kombi sovran. Sulmet ajrore janë kundër të drejtës ndërkombëtare dhe paraqesin një pengesë serioze për krijimin e një koalicioni ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit.
Në orët e para të mëngjesit ka reaguar edhe Izraeli. Kryeministri Benjamin Netanjahu ka mbështetur sulmet. Presidenti Donald Trump ka dërguar “një mesazh të fuqishëm”, se përdorimi i armëve kimike nuk do të tolerohet, kumtoi Netanjahu. Izraeli e mbështetë fuqishëm vendimin e Trumpit dhe shpreson se mesazhi ka mbërritur jo vetëm në Damask, por edhe në Teheran, Penian dhe gjithandej. Edhe Arabia Saudite e ka mbështetur ndërhyrjen, të cilën e quajti një “vendim të guximshëm” të Trumpit.
Denime nga Teherani
Irani e ka kritikuar ashpër bombardimin amerikan në Siri, citon agjencia Insa një zëdhënës në Teheran. Sulmet e këtilla do të forcojnë terroristët në Siri dhe do të përkeqësojnë gjendjen në këtë vend të përfshirë nga lufta qytetare si dhe në rajon.
Po Bundestagu?
Në Berlin priten me kureshtje reagimet e partive politike. Jürgen Trittin nga Partia ekologjiste tha se “këto ndërhyrje janë të kontestueshme nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare”. Këtë ndërhyrje ai e sheh si një përpjekje të administratës amerikane që të mos tregojë dobësi, tha Trittin. Konfrontimet mes SHBA dhe Rusisë ai i quan si tepër të rrezikshme. Zgjidhja përfundimtare nuk mund të anashkalojë Kombet e Bashkuara, tha ai për Deutschlandfunk.
Për të njëjtën radio politikani i CDU-së Roderich Kiesewetter tha: “Ne duam që ndërhyrja kundër regjimit të Assadit të bëhet mbi bazat e të drejtës ndërkombëtare”. “Ne nuk guxojmë të biem në nivelin e Rusisë”, theksoi ai duke shtuar se ashpërsimi i gjendjes është i panevojshëm.