Deputetët gjermanë janë duke i bërë presion kancelares Angela Merkel për votë të lirë në Parlament i cili shumë shpejt do të votojë për ta legalizuar martesën e gjinisë së njëjtë, pasi ajo ka sinjalizuar për një ndryshim në qëndrimin e partisë së saj rreth kësaj çështjeje.
Merkel i habiti mediat gjermane duke thënë se ajo është në favor të një vendimi të ndërgjegjes për martesën mes homoseksualëve.
Partia e saj konservatore e Kristian Demokratëve (CDU) në të kaluarën e ka kundërshtuar një gjë të tillë – për dallim nga partitë opozitare, si Partia Social Demokrate (SPD), Partia e Demokratëve të Lirë (FDP) dhe Partia e të Gjelbërve, transmeton Express.
Por, disa dëshirojnë votë të lirë për këtë çështje gjatë kësaj jave. Komentet e Merkelit kanë nxitur debat të madh në mediat sociale, ndërsa hashtagu #Ehefuralle (martesë për të gjithë) është në trend në Twitter.
Shumë partner të Gjermanisë në BE e kanë legalizuar martesën e homoseksualëve, veçanërisht Holanda, Belgjika, Franca, Spanja dhe Britania e Madhe.