Kancelarja e Gjermanisë, Merkel, ka refuzuar kategorikisht rregullat strikte kufitare me vendet fqinje europiane si me Francën gjatë ashpërsimit të krizës së koronavirusit.
Mbyllja e kufijve në valën e parë të pandemisë së koronavirusit ishte “diçka shumë e ashpër”, tha politikania kristiandemokrate gjatë një mbledhjeje të asamblesë parlamentare gjermano-franceze të organizuar në formë virtuale për shkak të pandemisë. “Në situatën e krijuar atëherë me sa duket ishte e pashmangshme mbyllja e kufijve. Por unë e pranoj, që një gjë e tillë nuk duhet të përsëritet.” Por kjo kërkon nga ana tjetër edhe një koordinimin të fortë. “Unë besoj, që ne kemi nxjerrë mësime tashmë”, tha Merkel.
Kancelarja në luftën kundër pandemisë tërhoqi vëmendjen për një koordinim rajonal në Europë. „Ne e dimë edhe se çfarë do të thotë sprova, masat e mbrojtjes nga infeksioni për Europën tonë pa kufij”, theksoi Merkel në paraqitjen e përbashkët me kryeministrin francez Jean Castex përpara asamblesë parlamentare. „Ne u përgjigjemi si partnerë bashkarisht sfidave të përbashkëta.”
Presidenti i Bundestagut kristiandemokrati Wolfgang Schäuble në të njëjtën mbledhje e quajti si „gabim” mbylljen e kufijve në fillim të pandemisë. „Duhet të jetë e qartë, se „asnjëherë nuk duhet të përsëritet një veprim i tillë i pakoordinuar”, tha Schäuble.
Zëdhënësi qeveritar Steffen Seibert vuri në dukje përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë federale për të arritur një rregullore të unifikuar në mbarë BE-në sa u përket udhëtimeve.
“Aty ku nuk ka uninamitet, ne vazhdojmë të përpiqemi për këtë”, tha Seibert.
Edhe ministri i Brendshëm, përgjegjës për mbrojtjen e kufijve, kristiansociali Horst Seehofer akutalisht „nuk sheh të ketë shkas për kontrolle kufitare”, tha zëdhënësi. Ministria e Shendetësisë deklaroi gjithashtu, se „ndërkohë nuk është planifikuar ndonjë ndryshim për udhëtimet”.