Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se “duhet ende punë për t’u bërë” në Gjermani dhe pjesë të tjera të botës për t’u përballur me “forcat e errëta” që po gjejnë mbështetje.
“Në Gjermani, natyrisht, ato gjithmonë duhet të shihen në një kontekst të caktuar, në kontekstin e së kaluarës sonë, që do të thotë se ne duhet të jemi shumë më vigjilent se të tjerët”, tha Merkel në një intervistë për CNN.
Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve evropiane ku nacionalistët dështuan të marrin mbështetjen e parashikuar, Merkel tha se “ne duhet t’u tregojmë të rinjve tanë se çfarë ka sjellë historia mbi ne dhe të tjerët”.
Rritja e parashikuar e krahut të djathtë në zgjedhjet evropiane të javës së kaluar nuk ndodhi dhe kjo kryesisht i atribuohet rritjes së mbështetjes për partitë e gjelbërta dhe liberale të Bashkimit Evropian dhe një pjesëmarrje më të madhe në të gjithë bllokun.
Një zhvillim tjetër në Gjermani, që ka marrë vëmendjen e botës, është fakti se hebrenjtë gjermanë u paralajmëruan nga një zyrtar i lartë qeveritar që të mos mbajnë kapelat e tyre tradicionale në publik, pas një rritje të sulmeve anti-semite.
Duke folur për rritjen e antisemitizmit, Merkel tha se në Gjermani “për fat të keq gjithmonë ka pasur një numër të caktuar të antisemitëve “.
“Deri më sot nuk ka një sinagogë të vetme, një qendër të vetme për fëmijët e hebrenjve, një shkollë të vetme për fëmijët hebrenjë që nuk duhet të ruhen nga policët gjermanë”, shtoi ajo.
Kancelarja Merkel është përballur me kritika të shumta për shkak të politikës së saj pro-migrimit që ka ndjekur në vitet e fundit.
Në këtë intervistë, ajo mbrojti vendimin e saj për të lejuar gati 1 milion refugjatë të hyjnë në Gjermani duke thënë se mënyra më e mirë për menaxhuar migrimin, pas krizave humanitare si ato në Siri dhe Irak, nuk ishte të “mbyllemi ndaj njëri tjetrit” por të jemi më “vigjilentë” për të siguruar se refugjatët që ikin nga ato vende “kanë kujdesin e nevojshëm”.
Duke folur për raportet mes Gjermanisë dhe SHBA-së, Merkel tha se të gjithë kancelarët gjermanë kishin një “detyrim” për të përparuar raportet me presidentët e SHBA-së.
“Një nga vendimet më të rëndësishme që Shtetet e Bashkuara morën pas Luftës së Dytë Botërore, ishte vendimi për t’i dhënë Gjermanisë dhe Evropës një mundësi për t’u zhvilluar në të vërtetë. Kjo u arrit nga Plani Marshall. Amerika na ka mbrojtur gjithmonë”, tha Merkel.
Supozohet gjerësisht se Merkel kishte një marrëdhënie më të mirë me Barack Obaman, paraardhësin e presidentit të tanishëm të SHBA-së, Donald Trump. Por, Merkel zbuloi për CNN se marrëdhënia e saj me ish-presidentin “nuk filloi shumë mirë” dhe se “nuk ishte aq e lehtë në fillim”.
Merkel është pothuajse në gjysmë të rrugës për mandatit e saj të katërt dhe të fundit si kancelare. Duke reflektuar për gati 15 vjet si udhëheqëse e një prej kombeve më të fuqishme në botë, politikanes më të fuqishëm në Evropë dhe, me të vërtetë, gruas më të fuqishme në botë, ajo foli për përgjegjësinë që ndiente për gratë dhe vajzat që e marrin si shembull atë.
“Për shumë gra, me sa duket, unë jam bërë me të vërtetë një model, gjatë kohës sime të kancelarisë”, shtoi ajo. “Ne kemi nevojë për më shumë gra në këto pozicione relevante dhe kjo do të thotë që burrat duhet të ndryshojnë mënyrën e tyre të jetesës”, tha Merkel.