Kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara për të takuar presidentin, Donald Trump, tha Shtëpia e Bardhë.
Zëvendësi i sekretarit për media, Hogan Gidley, e konfirmoi vizitën e Merkelit në javët e ardhshme, por nuk dha datë të saktë.
Megjithatë, një zyrtar i lartë amerikan i tha agjencisë Reuters se vizita pritet të realizohet më 27 prill.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, pritet të takojë Trumpin në Uashington tre ditë para vizitës së Merkelit.
Takimet do të zhvillohen pak kohë para 12 majit, afatit që ka caktuar Trump për përmirësimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin, të nënshkruar nga SHBA-ja dhe fuqitë e tjera botërore.
Gjermania, Franca dhe nënshkrueset e tjera i kanë bërë thirrje SHBA-së që të mbetet në marrëveshje.
Me paktin e vitit 2015, Teherani është pajtuar të frenojë aktivitetet bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare kundër tij.
Trump ka thënë se Teherani është duke shkelur “frymën” e marrëveshjes me hedhjen e vazhdueshme të raketave balistike dhe me mbështetjen e militantëve në rajon.
Presidenti amerikan ka kërcënuar se do të tërhiqet nga marrëveshja nëse ajo nuk përmirësohet.