Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, do të vaksinohet kundër sëmundjes Covid-19 të premten. Njoftohet se ajo do ta marrë vaksinën e kompanisë “AstraZeneca”, e cila në Gjermani u jepet vetëm personave mbi moshën 60-vjeçare. Kancelarja i ka 66 vjet.
Përdorimi i kësaj vaksine është kufizuar vetëm për personat e moshuar edhe në shumë shtete tjera evropiane për shkak të paraqitjes së rasteve të mpiksjes së gjakut pas vaksinimit.
Agjencia Evropiane e Ilaçeve ka thënë se lidhja mes kësaj vaksine dhe mpiksjes së rrallë të gjakut është e mundshme, por se efektet pozitive të vaksinës ia marrin anën çfarëdo rreziku. Sidoqoftë, Danimarka ka vendosur që ta largojë vaksinën e AstraZeneca-s tërësisht nga programi i vaksinimit.
Ndryshe, Gjermania ditëve të fundit po përballet me rritjen e numrit të rasteve. Ky shtet të enjten regjistroi 29.426 raste të reja me Covid-19, që është shifra më e lartë ditore që nga 8 janari. Shifra e përgjithshme e infektimeve shkoi në mbi 3 milionë e 70 mijë.
E zemëruar nga dështimi i disa rajoneve që të vendosin masa të të ashpra kufizuese pavarësisht rritjes së numrit të rasteve, kancelarja Merkel po kërkon nga kuvendi që t’i ofrojë qeverisë qendrore kompetenca të përkohshme për të vendosur masa izolimi në zonat me shkallë të lartë të infeksioneve.