Merkeli godet populistët: Dimri do të jetë i vështirë, rrenat s’e ndalin virusin

Prishtinë | 29 Tet 2020 | 15:36 | Nga Ekonomia Online

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, i ka kritikuar politikanët populistë të vendit të saj, duke thënë se ata që deklarojnë se virusi është i padëmshëm janë të rrezikshëm dhe të papërgjegjshëm.

“Jemi në një gjendje dramatike në fillim të sezonit të ftohtë. Kjo na prek të gjithë ne, pa përjashtim”, tha kancelarja në dhomën e ulët të kuvendit, duke shtuar se masat e reja kufizuese janë të nevojshme dhe të duhura.

“Gënjeshtrat dhe dezinformatat, teoritë konspirative dhe urrejtja jo vetëm që e dëmtojnë debatin demokratik por edhe luftën kundër virusit”, tha ajo në kuvend në fjalimin gjatë të cilit u pengua nga deputetët e së djathtës ekstreme, anëtarë të partisë “Alternativa për Gjermaninë” (AfD).

“Dimri do të jetë i vështirë – katër muaj të gjatë e të vështirë, por do të përfundojë”, shtoi ajo.

Kritikat për qeverinë rreth masave të reja kufizuese kanë ardhur nga sektorët që do të preken më së shumti – hoteleria dhe gastronomia.

Alexander Gauland, kryetar i partisë AfD, e kritikoi qeverinë për, siç tha, bombardimin ditor me shifrat e infektimeve, i cili, sipas tij, bëhet me qëllim që t’i frikësojë njerëzit. “Në emër të shëndetit të qytetarëve, qeveria ka vendosur për kufizimin më të madh të lirisë në histori të kësaj republike”, tha ai.

E shqetësuar që spitalet do të stërmbushen me pacientë, kancelarja Merkel, në marrëveshje me liderët rajonalë, vendosi masa izoluese që do të hyjnë në fuqi nga 2 nëntori dhe do të zgjasin një muaj. Në mesin e masave është mbyllja e restoranteve, teatrove dhe sallave të fitnesit.

Të ngjashme