Mërzia dhe filozofia

Prishtinë | 15 Kor 2023 | 11:21 | Nga Afrim Kasolli

Ekziston një konstatim i përgjithshëm në historinë e filozofisë se pikënisja e kësaj formë të mendimit është habia. Këtë kureshtje grekët antikë e quanin “Thaumazein”.

Sipas Aristotelit, nga xanxat e kësaj force ngashënjuese njerëzit u nxitën drejt njohjes vetëm për hir të njohjes. Me Dekartin këtë vend e zë dyshimi. Rruga drejt filozofimit pikërisht kalon nga aftësia për dyshuar në çdo gjë dhe gjithçka. Pra ky kapacitet mendor na shpie drejtë sigurisë së njohjes.

Ndërkaq, për M. Haidegger-in, në dallim nga këto gjendje, është pikërisht mërzia ajo e cila mund të na shpie drejt filozofimit. Për këtë filozof njeriu është i lidhur më botën si dhe mënyra se si nga shfaqet bota, edhe nëpërmjet asaj që ai e quan si gjendje shpirtërore, emocion, (mood, Stimmung). Dhe një nga këto emocione është edhe mërzia. Kurse, paradoksalish kjo e fundit, është një nga emocionet më filozofike. Sipas tij epokën tonë e karakterizon një disponim masiv i zbraztësisë.

Asgjë, nuk na lëviz në mënyrë pasiononte tash e tutje. Shumë vepra letrare sikur se bie fjala “Neveria” e Sartrit, apo portretizimi i fenomenit të absurdit nga A.Kamy konsiderohet se janë shprehje e këtij zbulimi që kishte bërë Hiadeggeri mbi mërzinë.

Mirëpo, sipas P.Slodertdijk, me këtë konstatim mendimtari ekzistencialist kishte edhe një intencë tjetër. Sepse ai besonte se nga të qenit i kapërthyer nga mërzia ekstreme mund të krijohet një përmbysje dilaketike e situatë e cila do ta krijonte një gjendje radikale të tensionit.

Prandaj, ai pretendonte ta shënonte rilindjen e historisë nga gjendja e zbraztësisë. Kjo edhe ishte arsyeja që atij iu duk joshëse ideja për t’iu bashkëngjitur një lëvizje brutale dhe të dhunshme të fuqishme politike, (nazizmit) si një mënyrë për të tejkaluar këtë gjendje “depresive”.

Filozofimet dhe jeta këtij mendimtari na tregojnë se sa të rrezikshme mund të bëhen ato lëvizje politike që u ofrojnë njerëzve arratisje nga mërzia. Kështu ne duhet ta pranojmë këtë gjendje si fatumi ynë individual dhe kolektiv.

Kurse, në vend të kërkimit për të ikur nga mërzia me anë të asaj politike që na ofron shpëtim për gjithçka, ky emocion duhet vetëm te na nxisë drejt filozofimit, pikërisht për t’u mbrojtur nga këto modele të politikës që fronzojnë një lider si absolut. E kjo tregon se kemi nevoje ende edhe për dy shtysat tjera filozofike. Për habinë dhe dyshimin.

Që ta ruajmë kureshtjen për atë që na rrethon dhe po ashtu të mbajmë qëndrim dyshues ndaj çdo “terapie” politike për mërzinë tonë të pashmangshme.

Të ngjashme