Një mësimdhënës është arrestuar në Malishevë, pasi të mërkurën kishte keqtrajtuar fizikisht nxënësin e tij.
Lajmin për Telegrafin e bëri të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Nysret Gjurkaj.
Sipas tij, rasti kishte ndodhur më 2 qershor, ndërsa i dyshuari është arrestuar të nesërmen.
“Më datë 03.06.2021, policia ka pranuar një video-incizim ku shihet një arsimtar duke keqtrajtuar fizikisht nxënësin e tij gjatë procesit mësimor. Sipas informatës së shpërndarë ngjarja kishte ndodhur në një shkollë në fshatin Banjë KK Malishevë, policia ka vepruar duke ndërmarr veprime hetimore rreth ngjarjes dhe është identifikuar autori i cili ishte mësimdhënës në shkollën e mesme të ulët ‘Naim Frashëri’, në fshatin Banjë. Gjatë intervistimit mësimdhënësi në fjalë ka pranuar se ka përdorur dhunë fizike ndaj njërit prej dy nxënësve si më lart për shkak të pengimit të procesit mësimor nga ana e tyre dhe mos bindjes në vërejtje që ju kishte bërë”, ka thënë Gjurkaj.
Siç tha ai, i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti vazhdon të hetohet.
“Për rastin është njoftuar prokurorja kujdestare e cila ndaj mësimdhënësit ka urdhëruar masën e ndalimit për 48 orë. Hetimet rreth rastit janë në vazhdimësi”, tha ndër të tjera Gjurkaj.