Janë bërë gati shtatë vjet që është premtuar miratimi i një ligji të veçantë, në bazë të të cilit do të shpaguhej puna e mësimdhënësve që kanë punuar në periudhën 1990-1999 duke ua njohur atyre stazhin e punës.
Por, një gjë e tillë pritet të bëhet realitet vetëm tani pasi kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se një nga prioritetet e tij do të jetë edhe shtyrja përpara e këtij ligji, shkruan gazeta “Zëri”.
Me këtë projektligj, të përgatitur nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe e proceduar në Qeverinë e Kosovës, parashihet që të shpaguhet puna e mësimdhënësve për periudhën ’90-’99, por kjo do të ndodhë pas pensionimit të tyre.
Drejtori i Zyrës për Komunikim në qeverinë “Haradinaj”, Halil Matoshi, në një prononcim për gazetën “Zëri” e ka konfirmuar se numri i personave që pritet të përfitojnë nga ky ligj është 20 mijë, të cilët edhe do të marrin pagesën e garantuar si pension.