Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka vizituar Shkollën e Mesme Bujqësore “Abdyl Frashëri”, me rastin e grevës dyorëshe në institucionet arsimore.
Ai tha se kjo grevë ka ardhur si rezultat i mos plotësimit të kërkesave të cilat ata ua kanë adresuar qeverisë, raporton Ekonomia Online. Greva do të mbahet në dy orët e para të mësimit të paradites dhe në dy orët e para të mësimit të pasdites në të gjitha shkollat e Kosovës, kurse universitetet do të jenë në grevë nga ora 10 deri në orën 12.
“Jemi në veprimin e dytë sindikal në grevën dy orësh. Unitetit që kemi treguar në grevën 1 orësh ka dhënë frytet e saj sepse kryeministri ka reaguar. Po e lexoj ne mendjet dhe zemrat tuaja që greva nuk është zgjedhja jonë. Ne e kemi shtyrë duke menduar që qeveria jonë do ti marr parasysh kërkesat. Kjo grevë nuk është për paga, por ne po luftojmë për çështjen e ligjit për punëtorët e viteve të 90-ta. Kjo nuk është për ne të gjallët por për ata të cilët nuk janë në mesin tonë”.
Jashari shtori se greva e radhës vjen si reagim, pasi pas grevës njëorëshe në tërë sistemin arsimor, kishte reflektim të pamjaftueshëm të Qeverisë së Kosovës ndaj kërkesave të të punësuarve në arsimi.
Ai tha se pjesë e kërkesave të tyre është edhe Ligji për sigurimet shëndetësore, raporton EO.
“Ne po rrimë kujdestar që ligji i pagave të shkoj shpejt në Parlament në versionin tonë dhe jo atë të qeverisë. Do të kërkojmë me ngulm që mësimdhënësit ti kenë sigurimet shëndetësore. Është koha e fundit dhe ne do të luftojmë që të kemi ligjin për sigurimet shëndetësore”.
Sipas kreut të SBAShKU-t, nëse kërkesat nuk merren parasysh atëherë do të shkojnë në grevë në kohë të pacaktuar.
“Nëse qeveria nuk vepron atëherë me 24 shkurt është kongresi dhe kam frikë që kongresi do të më obligojë që të mbajë grevë të pacaktuar madje edhe protesta”.
Kryeministri, Ramush Haradinaj, do të presë sot gjatë ditës në një takim kreun e SBASHK-ut, për të diskutuar lidhur me gjendjen aktuale në arsim.
Kryetari i shoqatës për komunë të Prishtinës, Ahmet Pllana, tha se greva është duke u mbajtur në të gjitha shkollat e Prishtinës
“Nga informata që kemi nga të gjitha shkollat e Komunës së Prishtinës greva është duke shkuar si duhet. Kjo grevë ka ardhur si rezultat i mospërfilljes së kërkesave tona nga qeveria e Kosovës. Mirëpo mbajmë shpresë që në takimin që do të mbahet me kryeministrin, kërkesat tona do të përfillen dhe nuk do të ketë nevojë për grevë”.
Zijadin Ajvazi, profesor i lëndës së Agronomisë, tha për greva nuk po mbahen për dëshirën e tyre.
“Këto greva nuk po mbahen për dëshirën tonë. Kjo ka ardhur si pasojë e mos realizimit të kërkesave tonë siç është ligji i viteve të 90-ta, ligji për sigurimet shëndetësore gjë që janë kërkesa thelbësore për ne”, tha ai.
Nazim Semani, kryetari i Shoqatës së Sindikatës në shkollën”Avdyl Frashëri”, tha se këto kërkesa është dashur të plotësohen shumë më herët.
“Kemi punuar edhe në ato vite kur kemi pasur shumë vështirësi. Këto greva nuk po i mbajmë me dëshirë prandaj edhe kërkesat tona duhet të merren parasysh. Duhet të na kuptojnë edhe prindërit edhe fëmijët”, tha ai.