Shefja e Administrimit të Shkollave të Ministrisë së Arsimit të Serbisë për Kosovën Jasmina Dediq, ka thënë se viti i ri shkollor në zonat e banuara me serbë në Kosovë do të fillojë më 1 shtator dhe se gjithçka është gati për fillimin e misimit.
“Gjithçka do të varet akoma nga situata epidemiologjike në terren jo vetëm në Kosovë por edhe në vetë shkollat. Në çdo rast, mësimi online me siguri do të fillojë më 1 shtator, ne do të shohim nëse klasat do të kombinohen dhe si do të shkojë”, tha ajo për portalin Kosovo Online.
Ajo shtoi se drejtorët e shkollave morën udhëzime nga Ministri i Arsimit të Serbisë, Mladen Sharçeviq, që ata të mund të tregojnë autonomi në organizimin e mësimdhënies në shkollat e tyre, dhe se do të veprojnë në përputhje me rrethanat.
“Në shkolla, kryesisht gjithçka është gati për fillimin e orëve të mësimit, në disa enklavë, në jug të lumit Ibër, shpërndarja e dezinfektuesve është në proces, dhe kjo do të zgjidhet gjatë fundjavës”, shtoi Dediq.
Mësimi në shkollat serbe në vendin tonë pritet të nisë, pavarësisht vendimit të djeshëm të autoriteteve kosovare që për shkak të gjendjes me pandeminë e COVID-19 fillimi i vitit të ri shkollor 2020-2021 të shtyhet për 14 shtator.