Në qytetin Shenzeni të Kinës, është hedhur shorti për Kampionatin Botëror në basketboll që do të mbahet në Kinë.
Në hedhjen e shortit, mysafir special ishte legjenda e Los Angeles Lakers, Koby Bryant, që bëri tërheqjen e shortit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si kampion aktual, janë në Grupin E, së bashku me Turqinë, Çekinë dhe Japoninë, duke u llogaritur një ndër grupet më të vështira, transmeton KTV.
Nikoqiri i këtij Botërori, Kina, që renditet në pozitën e 30-të në ranglistën botërore, do të jetë në grupin A, së bashku me Poloninë, Venezuelën dhe Bregun e Fildishtë.
Interesante dhe shumë konkurruese pritet të jetë edhe grupi B, ku gjenden Argjentina, Rusia, Koreja e Jugut dhe Nigeria.
Kampionati Botëror do të nisë më 31 gusht dhe do të përfundojë më 15 shtator, në Kinë.