Shanset që Lionel Messi të rikthehet te Barcelona raportohet se janë jashtëzakonisht të ulëta.
Sipas “Marca”, ka disa çështje që duhen trajtuar përpara se të bëhet i mundur një rikthim i argjentinasit në “Camp Nou”, transmeton Gazeta Express.
Messi thuhet se aktualisht nuk ka kontakte me drejtuesit e Barcelonës dhe se askush nuk e ka kontaktuar atë për të diskutuar rreth një rikthimi të mundshëm te Barça.
Për më tepër, do të duhej shumë kohë që katalunasit të bindin 35-vjeçarin që të rikthehet, pasi ai beson se presidenti i klubit, Joan Laporta, e tradhtoi duke anuluar marrëveshjen e tij për rinovimin e kontratës në minutën e fundit dhe duke e detyruar atë të largohej nga klubi si lojtar i lirë në verën e vitit të kaluar, kur ai nënshkroi me Paris Saint-Germainin.
Gjithashtu, shtatë herë fituesit të “Topit të Artë” thuhet se nuk i pëlqen fakti që drejtuesit e Barcelonës flasin vazhdimisht për të.
Rikthimi i argjentinasit te Barcelona mund të bëhet vetëm nëse disa drejtues të klubit, por edhe futbollistë, largohen nga aty – pasi ai nuk e ka harruar qëndrimin e disa njerëzve ndaj tij. Messi do të pranojë të rikthehet gjithashtu edhe nëse i garantohet një vend në formacionin startues.
Në anën tjetër, nuk duhet harruar problemet financiare me të cilat është përballur dhe po vazhdon të përballet Barcelona. Situata është përmirësuar, por klubi duhet të vazhdojë të ulë listën e pagave.
Ndërsa, sa i përket Messit, ai po mendon vetëm për një paraqitje të suksesshme me PSG-në këtë sezon, si dhe me Kombëtaren e Argjentinës në Kampionatin Botëror “Katar 2022”.
Më herët u raportua se klubi parisien i ka ofruar Messit vazhdimin e kontratës në skemën 1+1.
Kontrata aktuale e sulmuesit me kampionët e Francës skadon më 30 qershor 2023. Në marrëveshjen aktuale, ekziston opsioni për vazhdim të kontratës edhe për një tjetër vit.