Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se ndalimi i Ramush Haradinajt nga autoritetet franceze, bazuar në një fletarrest të Serbisë, ishte akt befasues dhe shokues.
Kryeparlamentari Meta, njëherësh kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), i bëri komentet gjatë një vizite në selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Prishtinë, ku u prit nga nënkryetari Ardian Gjini.
Në një konferencë me gazetarë, pas takimit, Meta tha se Haradinaj asnjëherë nuk i ka ikur drejtësisë, madje është përballur edhe me padrejtësi.
“Arrestimi i Haradinajt ishte akt befasues dhe shokues”, ka thënë Meta, i cili shprehu pakënaqësinë e tij dhe solidaritetin pas arrestimit të liderit të Aleancës, njëherësh ish-kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj.
Sipas tij, ndalimi i tij në Francë është politik dhe nuk ka lidhje me drejtësinë.
“Ramush Haradinaj nuk është qytetar i Serbisë, por është qytetar i Kosovës dhe si i tillë është simbol i shqiptarëve në të gjithë botën. Haradinaj është një krenari për të gjithë shqiptarët dhe për faktin se ai është përballur me kurajë dhe dinjitet edhe me drejtësinë ndërkombëtare”, theksoi kreu i Kuvendit shqiptar.
Por, Meta shprehur bindjen se kjo çështje do të marrë fund shumë shpejt.