Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta vizitoi Vatikanin, ku u prit në një audiencë të posaçme nga Papa Françesku, në Selinë e Shenjtë.
Më pas, Meta u takua edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin.
“I nderuar nga audienca e veçantë sot me Atin e Shenjtë, Papa Françeskun. Shqipëria u kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë. Vlerësoj ndihmesën e jashtëzakonshëm që Selia e Shenjtë i ka dhënë Kishës katolike dhe besimtarëve katolikë shqiptarë”.
“Të privilegjuar që në themel të historisë së lashtë të marrëdhënieve tona qëndrojnë personalitete që u përkasin gjithë njerëzimit. Papa Klementi XI, Skënderbeu, Shën Tereza, Kardinali Ernest Troshani, 38 klerikët katolikë shqiptarë të lumturuar, pjesë e historisë sonë. Këto personalitete, dëshmi e pakundërshtueshme e përkatësisë dhe vokacionit evropian të popullit shqiptar”, ka deklaruar Meta, shkruan Top Channel.
Më tej, presidenti shqiptar ka theksuar se “bashkëjetesa e shkëlqyer fetare në Shqipëri është thesar kombëtar, shembull i vyer në nivel rajonal e global”.