Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka përshëndetur sot në Shkodër, 60-vjetorin e Universitetit “Luigj Gurakuqi”.
Në fjalën e tij drejtuar pedagogëve dhe studentëve, Meta tha: “Historia, kultura, arsimi dhe traditat artdashëse të këtij qyteti kanë qenë dhe mbeten vlera të spikatura të historisë, kulturës dhe arsimit shqiptar. 60-vjetori i themelimit të Universitetit “Luigj Gurakuqi” është një ngjarje e jashtëzakonshme jo vetëm për qytetin e mrekullueshëm të Shkodrës, por edhe për të gjithë vendin”.
“Universiteti i juaj, i cili mban emrin e nderuar të Luigj Gurakuqit, një prej figurave më të shquara të historisë së Shqipërisë, bir i Shkodrës, i cili u radhit ndër të parët në plejadën e Rilindasve të Mëdhenj të Kombit, i cili kontribuoi si rrallë të tjerë në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, por në të gjithë çështjen kombëtare dhe kulturën tonë”.
Meta tha se sot për vendin mbetet sfidë, integrimi europian ndaj kërkohet kontributi i të gjithëve.
Në përfundim, Meta vlerësoi njërin prej pedagogëve të shquar të Universitetit, Profesor Doktor Dhimitër Dhorën me Titullin “Mjeshtër i Madh”
Universiteti “Luigj Gurakuqi” i hap më 2 shtator 1957 me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 150, datë 18. 04. 1957 si “Instituti i Lartë Pedagogjik i Shkodrës”, (ILP), e para shkollë e lartë në vend pas asaj të Tiranës.
Ai ishte dhe vazhdon të jetë një nga institucionet më të rëndësishme të vendit dhe qendra më e madhe mësimore, shkencore dhe kulturore e Veriut të Shqipërisë.